Korea e Veriut vodhi 2 miliardë dollarë me sulme kibernetike

schedule14:30 - 7 Gusht, 2019

schedule 14:30 - 7 Gusht, 2019

Ndonëse është vendi më i izoluar në botë, Korea e Veriut ka zhvilluar kapacitete kibernetike, në gjendje të vjedhin miliarda dollarë nga institucionet ndërkombëtare. Një raport i OKB-së sugjeron se, të ardhurat e mbledhura përmes këtyre operacioneve janë përdorur për prodhimin e armatimeve.

Korea e Veriut ka vjedhur përmes sulmeve kibernetike 2 miliardë dollarë për të financuar programin e saj të armatimeve. Kështu thotë një raport i Kombeve të Bashkuara, sipas të cilit regjimi në Penian ka vënë në shënjestër bankat dhe valutën kibernetike për të akumuluar të ardhura. Sipas raportit, të cilit i referohet BBC, Kombet e Bashkuara po hetojnë në tërësi 35 sulme elektronike që dyshohet të kenë si autor vendin e izoluar aziatik.

Ekspertët po hetojnë gjithashtu aktivitetin e njohur si “sajber majning”, ose përdorimin e kompjuterëve të fuqishëm për të gjeneruar valuta virtuale, që shërbejnë për të fituar para të huaja. Raporti i OKB-së thotë se sulmet koreano-veriore kanë gjeneruar të ardhura në mënyra të ndryshme, të vështira për t’u gjurmuar dhe që i shpëtojnë kontrolleve qeveritare dhe rregulloreve të sektorit bankar.

Raporti nënvizon gjithashtu se, vendi aziatik ka shkelur sanksionet e OKB-së duke kryer veprime të tilla, si dhe duke u pajisur me mjete që ndihmojnë në prodhimin e armëve të shkatërrimit në masë. Korea e Veriut testoi ditën e martë dy raketa, duke regjistruar testin e katërt të kryer në më pak se dy javë. Në një deklaratë të bërë të mërkurën, lideri Kim Jong un tha se, testet ishin një paralajmërim ndaj stërvitjes ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, që sipas tij përbën shkelje të marrëveshjeve të paqes të arritura me presidentin Donald Trump./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!