Kopshtari i paligjshëm, kush është shqiptari që u dënua në Britani (Foto)

schedule11:44 - 14 Gusht, 2019

schedule 11:44 - 14 Gusht, 2019

Një i ri shqiptar është dënuar me dy vjet e dy muaj burg pasi merrej me kultivimin e kanabisit. Siç shkruajnë mediat, Gëzim Kokoshi, 24 vjeç, jetonte ilegalisht në Britani. Për këtë arsye ai u mundua të gënjejë autoritetet, kur gjatë një kontrolli u dha një kartë identiteti false me foton e tij, por me disa ndryshime të bëra me laps.

Për më tepër, Kokoshi nuk ishte në gjendje të tregonte të njëjtën datë lindjeje me atë të printuar në kartën e identitetit. I riu u ndalua më 9 Korrik. Shkak u bë mënyra se si po ecte një “Fordi” i zi në rrugën “Stourbridge”.

Autoritetet janë shprehur se brenda mjetit kishte një erë të tmerrshme kanabisi dhe se Gëzim Kokoshi ishte pasagjer. Gjatë kontrollit u zbuluan 2000 Paund dhe dokumentet e udhëtimit false.

Kokoshi u vu në pranga, ndërsa një kontroll tjetër u ushtrua në banesën e shqiptarit. Prokurorja e çështjes, Suzanne Francis tha se sapo agjentët hynë në shtëpi kuptuan se aty rritej kanabis. Ata gjetën mbi 80 bimë që po kultivoheshin në tre katet e ndërtesës. Gjithashtu 150 fidanë të tjera u gjetën brenda banesës.

Ndërkohë avokati mbrojtës i Kokoshit, Brendan Reedy, tha se i riu shqiptar vjen nga një familje e respektueshme dhe se nuk ka dalë asnjëherë para gjykatës më parë. Sipas tij, Kokoshi u shkollua në vendlindje, por nuk mundi të gjejë punë, kështu që erdhi në Angli në mënyrë të paligjshme. Për shkak se nuk kishte dokumente u detyra që në Shkurt të këtij viti të punonte për 200 deri në 300 Paund për ruajtjen e kanabisi.

“Nuk ishte personi që e ngriti, apo që do të përfitojë vlerën reale të asaj që po rritej aty. Ishte thjesht kopshtar”, tha Reedy.

Megjithatë asnjë nga këto argumente nuk e ndali gjykatësin e çështjes që ta dënonte Kokoshin me 26 muaj burg dhe pas përfundimit të dënimit, i riu do të deportohet nga Britania./abcnews.al