Danimarka është gati për të dielën, për ceremoninë e inaugurimit të Mbretit të ri, Princit të Kurorës, Frederik.
Mbrëtëresha Margrethe, monarkja më jetëgjatë e Europës, sot 83 vjeç, u tërhoq nga Kurora, duke i hapur rrugë djalit të saj më të madh, Princit Frederik, 55 vjeç. Frederik është i martuar me Mary Elizabeth Donaldson, me origjinë australiane, në vitin 2004 dhe së bashku kanë 4 fëmijë, më i madhi Princi Christian, që tashmë bëhet Princi i Kurorës, trashëgimtari i fronit, pas të atit Frederik.
Në Danimarkë, që prej abdikimit të Mbretëreshës, pushteti është përkohësisht, deri në betimin e Mbretit të ri, në duart e Parlamentit dhe qeverisë. Pas betimit, Mbreti Frederik, si monark, do të zotohet edhe se do të qëndrojë mbi partitë politike dhe se do të përfaqësojë kombin në detyrat tradicionale, duke e përfaqësuar vendin në vizita e festa kombëtare.
Ndërkohë, kryeqyteti Kopenhagen është bërë gati për festën e së dielës së kurorëzimit. Trupat ushtarake daneze janë bërë gati për paradën tradicionale, para momentit të tërheqjes së Mbretëreshë Margethe II dhe ngjitjen në front të të birit, Frederik. Skuadrilja mbretërore është përgatitur në rrugët e Kopengahenit për rolin që do të ketë në shoqërimin e fundit të karrocës mbretërore me Margrethe, nga pallati Amalienborg drejt Christiansborg, godinës së Parlamentit danez, ku Princi Frederik, nga e diela Mbreti Frederik, i sapobetuar, do të dalë mbi ballkon për të përshëndetur popullin e tij. Më pas, karroca me Mbretin e Mbretëreshën e re, do të rikthehen në pallatin mbretëror.
Mbretëresha e abdikuar 83-vjeçare është monarkja që ka shërbyer më gjatë në Europë, pas Elizabetës së Dytë, që u nda nga jeta në vitin 2022. Ajo shokoi mbarë Danimarkën me vendimin që njoftoi në natën e ndërrimit të viteve, kur tha se ka vendosur të abdikojë. Në të shkuarën, monarkja e ka përsëritur vazhdimisht se do të qëndrojë në fron derisa të ketë jetë.
/abcnews.al