Kontrolle kundër kontrabandistëve në pesë lande gjermane

schedule15:37 - 4 Shtator, 2024

schedule 15:37 - 4 Shtator, 2024

Policia federale ka ndërmarrë në pesë lande gjermane një aksion kundër kontrabandistëve të dyshuar të njerëzve. Në disa lande federale të Gjermanisë po kryhen aktualisht kontrolle kundër një bande të dyshuar për trafikim personash.

Një zëdhënës i policisë federale deklaroi se janë përfshirë gjithsej 19 objekte në Tyringen, Baden-Württemberg, Schleswig-Holstein, në Rin Verior-Vestfali dhe Saksoni-Anhalt. Fokusi është në Jena në Turingi. Për këtë informoi MDR (Mitteldeutscher Rundfunk).

Urdhër-arrestet u zbatuan për tre shtetas sirianë dhe dy irakianë, shtoi zëdhënësi. Në tërësi, hetimet janë drejtuar ndaj 18 të dyshuarve, nga shoferi deri te niveli organizativ. Ata akuzohen se kanë trafikuar të paktën 140 persona përmes rrugës së Ballkanit Perëndimor në vitet 2023 dhe 2024.

Dyshohet se furgonat përdoreshin për operacione kontrabande. Personat fillimisht ishin vendosur në një apartament në Jena. Sipas zëdhënësit, për pagesa është përdorur sistemi i ashtuquajtur “hawala banking”. Në këtë sistem pagesash informale, paratë e gatshme transferohen përmes ndërmjetësve.

Hetuesit ranë në gjurmët e bandës pasi disa transportues u ndaluan në rrugën e Ballkanit Perëndimor. Sipas zëdhënësit të Policisë Federale, këto raste individuale më vonë çuan në të dhëna të mëdha. Hetimet po kryhen nga prokuroria e Gerës.

Konkretisht, policia kontrolloi objekte në Jena, Sondershausen, Nordhausen dhe Bad Sulza në Tyringen, në Lübeck në Schleswig-Holstein, Vaihingen an der Enz në Baden-Württemberg, Krefeld në Rinin Verior-Vestfalinë dhe Zeitz në Saksoni-Anhalt. Krerët e bandës së dyshuar ishin të vendosur në Jena dhe Sondershausen. Adresat e shoferëve u kontrolluan në Lübeck, Vaihingen dhe Krefeld.

Sipas një raporti të MDR,  në operacionin mbarëkombëtar morën pjesë më shumë se 300 efektivë policie . Në Jena u angazhua edhe njësia speciale GSG 9./dw

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!