Gjykatësit maqedonas Gjoko Ristov i janë gjetur 350 000 euro në murin e shtëpisë së prindërve të tij. Zbulimi ka ardhur pas një aksioni të policisë financiare në vendin fqinj.
“Në kuadër të një hetimi që po e udhëheq Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, gjatë fundjavës së kaluar është realizuar një bastisje në një lokacion në Negotinë. Veprimet janë zhvilluar nën drejtimin e Drejtorisë së Policisë Financiare, në koordinim me prokurorin publik kompetent.”-njofton ministria e brendshme.
Gjykatësi Ristov është në detyrë në Gjykatën e Apelit në Shkup, ndërsa ndaj tij rëndojnë veprat penale: Fitim i kundërligjshëm dhe fshehje e pasurisë.
Për 350 000 eurot e gjetura ekzistojnë dyshime se rrjedhin nga veprimtari të paligjshme të lidhura me korrupsion dhe tregti me ndikim-njofton Policia Financiare.
Emri i gjyqtarit Gjoko Ristov më herët ishte lidhur me Fehmi Stafën, ish-avokat i popullit, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim për shkak të dyshimeve se ka marrë 50.000 euro ryshfet.
Gjoko Ristov është në kërkim, ndërsa për vendndodhjen e tij nuk ka ende të dhëna. / abcnews.al /


