Portieri i Milanit, Gianluigi Donnarumma, është shumë pranë rinovimit. Në muajt e fundit është folur shumë për një largim të tij nga klubi kuqezi, por tashmë gjërat kanë ndryshuar dhe në fakt ka qenë vetë portieri që ka konfirmuar se dëshiron të bëhet emblema e Milanit.
Sipas raportimit të “SportMediaset”, kontrata e Giggios pritet të rinovohet me dy vite. Aktualja i përfundon më qershor të vitit 2021, ku ai përfiton 6 milion euro në sezon. Paga e re e gardianit do të jetë po aq, por në marrëveshje do të përfshihet dhe një bonus prej 2 milion eurosh në rast se Milani fiton kampionatin italian.
Donnarumma është vetëm 21-vjeç dhe është lojtari më i ri në historinë e klubit që është aktivizuar në 200 ndeshje. Këtë sezon portieri numëron 34 ndeshje për kuqezinjtë, ku e ka mbajtur portën të paprekur plot 12 herë. /abcnews.al