Konsumoi çokollatë Kinder, nëna tregon simptomat e 3 vjeçares pasi u prek nga salmonela

schedule11:56 - 11 Prill, 2022

schedule 11:56 - 11 Prill, 2022

Rastet e salmonelës, të cilat janë raportuar kryesisht te fëmijët dhe kanë qenë të lidhura me konsumimin e vezëve me çokollatë Kinder, kanë shkaktuar shqetësim në të gjithë Evropën. Pas raportimit të rasteve të para, shumë vende kanë hequr nga tregu produktet Kinder.

Një nënë britanike ka zbuluar simptomat e vajzës së saj trevjeçare, pasi kishte konsumuar më parë një nga produktet e çokollatës Kinder. Sipas Charlotte Wingfield, e bija Brooklyn May kishte pasur temperaturë të lartë dhe se kishte kaluar pjesën më të madhe të kohës në gjumë.

Ajo thotë se “kishte temperaturë që i kalonte 39°C. Unë fola me pediatrin, besuam se ishte virus, por tre ditë më vonë u konfirmua se ajo kishte salmonelë nga çokollata Kinder, produkte që ajo kishte ngrënë të dielën. Në gjithsej 96 orë, ajo ishte zgjuar gjithsej 12-14 orë, por edhe atëherë, ajo ishte … diku tjetër. Ai nuk kishte energji, megjithëse është një fëmijë shumë energjik”.

LEXO EDHE: “Kinder Surprise” me salomonelë, reagon AKU: Nuk ka hyrë në Shqipëri

Deri më 5 prill ishin raportuar 134 raste, kryesisht fëmijë nën moshën 10 vjeç. Rasti i parë u regjistrua në 7 janar 2022 në Britani dhe, nga 17 shkurti e në vazhdim, raste u vërejtën në pjesë të tjera të Evropës. Problemi i salmonelës gjendet në fabrikën e çokollatës Ferrero Ardennes në Arlon, Belgjikë.

Autoriteti lokal i Sigurisë Ushqimore (AFSCA) njoftoi se kishte urdhëruar ndalimin e prodhimit në fabrikë dhe në të njëjtën kohë kritikoi kompaninë mëmë të Kinder, gjigantin italian të ëmbëlsirave Ferrero, për mosdhënien e informacionit. AFSCA tha në një deklaratë se “pas hetimeve dhe konstatimeve të orëve të fundit se informacioni i dhënë nga Ferrero është i paplotë, Zyra po tërheq licencën e fabrikës Ferrero në Arlon”./abcnews.al