Konjufca pas rrahjes në Kuvend: Ditë e rëndë për Kosovën

schedule16:33 - 13 Korrik, 2023

schedule 16:33 - 13 Korrik, 2023

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se episodi i rrahjes së sotme në sallën plenare në Kuvend është ditë e rëndë për Kosovën.

Ai ka kërkuar nga të zgjedhurit e popullit dhe kabineti qeveritar të ruajnë qetësinë dhe të hapin një kapitull të ri, pas incidentit të sotëm.

Konjufca tha se kryeministri Albin Kurti ka hequr dorë nga fjala e tij në seancë me qëllim të uljes së tensioneve në Kuvend.

Konjufca shtoi se sjellje të tilla si të sotmet në Kuvend nuk dëshiron të përsëriten.

Rrahja në Kuvend ka nisur gjatë kohës sa ishte duke folur kryeministri Albin Kurti. Ishte deputetja e PDK-së Ganimete Musliu që i ka vendosur Kurtit në foltore një fotografi në të cilën ai shihet me hundë të gjatë si “Pinoku”. Ajo fotografi është larguar dhe shqyer nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Pas kësaj deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, është afruar ta lagë me ujë kryeministrin Kurti. Ministri Hekuran Murati është ngritur për të mbrojtur atë me një dosje e Lushtaku është kthyer që ta lagë edhe Besnik Bislimin. Pastaj aty janë afruar disa prej ministrave, deputetët e pushtetit e të PDK-së të cilët janë përfshirë në rrahje./KosovaPress/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!