Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ndodhet sot në Hagë, ndërsa ka takuar ish kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe ish-pjesëtarin e UÇK-së, Pjetër Shala.
Në një postim të këshilltarit të Konjufcës, bëhet e ditur se kryeparlamentari sot ka takuar Krasniqin e Pjetër Shalën, ndërsa më pas gjatë ditës do ta takojnë Rexhep Selimin.
“Kurse nesër ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, e poashtu edhe të dënuarit nga shoqata e veteranëve të luftës Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Ne besojmë fuqishëm në pastërtinë e luftës çlirimtare të popullit tonë në krye me UÇK-në.
Sikundër jemi të bindur se adresa e krimeve barbare dhe gjenocidit mbi popullin tonë është Serbia agresore, e pandëshkuar deri më tani.
Të bashkuar me njëri tjetrin mbrojmë historinë e vendit tonë”, shkruan ai.
Lidhur me këtë vizitë, kryeparlametari Konjufca ka thënë se këtë vizitë po e bëjnë me qëllim që të shohin nga afër sesi po trajtohen ish-krerët e UÇK-së.
“Duket qartë se në disa aspekte ata apo shkelin të drejtat e tyre. Ata po i afrohen kohës 2-vjeçare të paraburgimit dhe s’është bërë asgjë. Nuk u është siguruar as mbrojtja e tyre në liri. Jemi të shqetësuar si institucione. Do flasim me zotërinjtë Thaçi, Selimi, Krasniqi dhe Veseli për këto çështje”, ishte shprehur Konjufca ditë më parë.