Konflikti mes dy vendeve, ylli Arsenalit nuk luan dot në finalen Ligës së Europës

schedule16:37 - 21 Maj, 2019

schedule 16:37 - 21 Maj, 2019

Sulmuesi i Arsenalit, Henrikh Mkhitaryan, nuk do të mund të luajë në finalen e Ligës së Europës ndaj Chelsea-t. Kjo, sepse ai është armen, ndërsa ndeshja luhet në Azerbajxhan, një vend në konflikt me Armeninë.

Prezantimi i sfidës së shënuar ishte paqësor sa më nuk bëhet. Azerbajxhani ndihet krenar dhe i lumtur që finalja e Ligës së Europës këtë vit do të luhet në stadiumin “Olimpik” të kryeqytetit Baku, veçse diçka e rëndë ndodhi ende pa mbërritur dita. Henrikh Mkhitaryan, një nga lojtarët kryesorë të Arsenalit, nuk do të mund të jetë në fushë, për duelin vendimtar ndaj Chelsea-t.

Cila është arsyeja?

Mkhitaryan është nga Armenia, kapiten i ekipit kombëtar të vendit të tij dhe kjo mjafton që ai të mos jetë i mirëpritur në Azerbajxhan. Mes dy vendeve në kaukaze është konflikti i vjetër ndëretnik për rajonin e Nagorno-Karabakut, që ndodhet në brendësi të Azerbajxhanit, por me shumicë popullsie armene dhe që kontrollohet pikërisht nga armenët.

Fillimisht, Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit dha shpresë se Mkhitaryan mund të udhëtonte drejt Bakusë, por më pas u tërhoq duke mos garantuar dot sigurinë.

“Ju njoftojmë me zhgënjim të thellë se Henrikh Mkhitaryan nuk do të udhëtojë me skuadrën për finalen e Ligës së Europës ndaj Chelsea-t”, – ishte njoftimi i Arsenalit në rrjetet sociale.

Vetë futbollisti po ashtu, reagoi.

“Një ndeshje e tillë nuk ndodh ta luash shpesh, dhe duhet ta pranoj se më vret shumë mungesa e saj, – komentoi vetë Mkhitaryani në Twitter, – do të mbështes shokët e mi! Le ta sjellim kupën në shtëpi!”

Mkhitaryan e ka luajtur një finale të Ligës së Europës, atë të vitit 2017, fituar me Manchester United ndaj Ajaksit, madje duke shënuar edhe gol. Mungesa e tij është problem serioz për Arsenalin, veçse futbolli, pavarësisht përhapjes gjithnjë e më të madhe globale, shpesh e ka të pamundur të mposhtë armiqësitë e krijuara nga e kaluara./ABC News Albania 24/7