Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan deklaroi se “Si Turqi dhe si popull turk ne jemi të përgatitur për çdo mundësi dhe çdo rezultat”.
Erdoğan mbajti një fjalim në ceremoninë e hapjes së spitalit Prof. Dr. Süleyman Yalçın në Stamboll ku duke përmendur pandeminë e koronavirusit ai theksoi se falë strukturës së fuqishme shëndetësore të ngritur u parandaluan pengesa që ishin të zakonshme në shumë vende, përfshirë edhe vendet e zhvilluara.
“Sistemi ynë shëndetësor qëndron i fortë në këmbë pavarësisht rasteve në rritje kohët e fundit dhe numrit në kujdesin intensiv“, tha Erdoğan i cili me këtë rast ftoi qytetarët që të zbatojnë me përpikmëri rregullat e “pastërtisë”, “maskës” dhe distancës”.
Erdoğan potencoi se çdo sulm dhe çdo krizë me të cilën përballen e shpjegon më mirë kuptimin e vendit se ku ka arritur Turqia në prodhim, tregti, tenknologji, eksport, industrinë e mbrojtjes dhe në fushën e shërbimeve themelore.
Duke vënë theksin se tashmë ka një Turqi e cila i beson vetes, njeh potencialin e saj, që shikon fuqinë e vërtetë dhe fushën e veprimit të atyre që janë përballë dhe e cila mbështetjen pas saj mund ta shndërrojë në rezultate të vërteta, Erdoğan më tej tha:
“Sigurisht që këto të vërteta mund t’i shohin shumë mirë edhe ata që janë përballë nesh. Pas aleancave të paimagjinueshme të formuara kundër vendit tonë dhe pas qasjeve që nuk njohin të drejta, ligje dhe të patolerueshme qëndron nxitimi dhe frika. Ne në çdo platformë, në çdo bisedë, në çdo mesazh e themi se Turqia është e gatshme për çdo lloj ndarjeje me kusht që të jetë e drejtë. Ne jemi të sinqertë në fjalën tonë“.
Presidenti Erdoğan theksoi se “Problemi qëndron se ata pëballë nesh injorojnë të drejtat tona. Përpiqen që veten e tyre ta pozicionojnë mbi ne. Por, do ta kuptojnë se nuk është kështu, se Turqia ka fuqinë politike, ekonomike dhe ushtarake që të grisë hartat dhe dokumentet e pamoralshme që i imponohen asaj. Do ta kuptojnë këtë ose me gjuhën e politikës dhe diplomacisë ose me përvojat e hidhura që do përjetojnë në terren. Shpresojmë se nuk do të jetë vonë kur ata të kuptojnë që nuk ka asnjë fuqi që të qëndrojë përballë një populli i cili luftën dhe martirizimin e mundshëm në fund e sheh si gradën më të lartë“.
Lexo edhe: Mitsotakis mesazh Erdoganit: Duam dialog, por pa shantazhe
Erdoğan vuri në dukje se populli turk është si një popull i shërbetuar me çdo sulm, me çdo kosto të mundshme. “Ato që mund të ndodhin në fund të këtij procesi në të cilin po kalojmë, le t’i mendojnë ata që jetojnë në botën e tyre imagjinare me një mirëqenie dhe demokraci të rreme. Si Turqi dhe si popull turk ne jemi të përgatitur për çdo mundësi dhe çdo rezultat“, tha ai./ Anadolu Agency