Macron: Zgjidhja me dy shtete, rruga e vetme që përmbush nevojat e sigurisë së Izraelit dhe aspiratat legjitime të palestinezëve

schedule07:20 - 25 Mars, 2024

schedule 07:20 - 25 Mars, 2024

Presidenti francez, Emmanuel Macron foli të dielën me kryeministrin Benjamin Netanyahu.

Pasi shprehu solidaritetin me Izraelin pas sulmeve të 7 tetorit, dhe përsëritjen e thirrjes për lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi, Macron përmendi nevojën për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe shprehu shqetësimin e tij në lidhje me veprimet e Izraelit në spitalin Shifa.

Macron përsëriti kundërshtimin e tij ndaj veprimeve ushtarake në Rafah. Ai vuri në dukje se çdo transferim i detyruar i popullsisë së Gazës do të përbënte një krim lufte sipas ligjit ndërkombëtar dhe se e ardhmja e Gazës është brenda kornizës së një shteti palestinez nën përgjegjësinë e Autoritetit Palestinez.

Të dy liderët diskutuan situatën humanitare në Gaza dhe urgjencën e shtimit të ndihmave, në dritën e rrezikut të urisë dhe privimit të nevojave themelore në mesin e popullatës civile të Rripit.

Macron këmbënguli që Izraeli të hapë menjëherë dhe pa kushte të gjitha pikat e kalimit në Rripin e Gazës, veçanërisht vendkalimin Karni, me një rrugë të drejtpërdrejtë tokësore nga Jordania dhe porti i Ashdod. Numri i kamionëve duhet të përcaktohet në mënyrë transparente, tha ai, në koordinim me Kombet e Bashkuara.

Presidenti francez e informoi Netanyahun për qëllimin e Francës për të paraqitur një rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm, që do të vendoste themelet për një zgjidhje të përhershme të konfliktit.

Macron beson se zgjidhja me dy shtete mbetet zgjidhja e vetme që do të përmbushë nevojat e sigurisë së Izraelit dhe aspiratat legjitime të palestinezëve dhe se do të kërkojë mobilizim të guximshëm dhe vullnetar të liderëve politikë izraelitë dhe palestinezë për paqe./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!