“Konflikti i interesit”, ILD nis hetim disiplinor për 3 anëtarë të KLP-së pas sinjalit të ONM

schedule20:57 - 20 Tetor, 2021

schedule 20:57 - 20 Tetor, 2021

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka nisur hetimin disiplinor për 3 anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Bëhet fjalë për anëtarët e KLP-së Alfred Balla, Nurihan Seiti dhe Tartar Bazaj. Procedimi disiplinor ka nisur në bazë të një informacioni të dorëzuar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM, ku tre anëtarët akuzohen për konfikt interesi.

Burime për ABC bëjnë me dije se tre anëtarët akuzohen për konfikt interesi në promovimin e drejtueses së Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, ndërsa kishin të punësuar familjarët e tyre në këtë institucion.

Ishte KLP ajo u njoftoi anëtarëve nisjen e hetimit ndaj tyre në mbledhjen e zhvilluar ditën e sotme. Sipas njoftimit të KLP-së, anëtarët Alfred Balla, Nurihan Seiti dhe Tartar Bazaj i kërkuan gjatë mbledhjes kryetarit Gent Ibrahimi që t’i drejtohej me shkresë Kuvendit për rastin e tyre.

Në përfundim të seancës plenare, në pjesën kushtuar pyetjeve dhe diskutimeve jashtë rendit të ditës, anëtarët z. Alfred Balla, znj. Nurihan Seiti dhe z.Tartar Bazaj, informuan Këshillin për nisjen e hetimit disiplinor ndaj tyre, nga ana e Inspektorit të  Lartë të Drejtësisë (ILD). Ata i kërkuan Kryetarit, z. Gent Ibrahimi, t’i drejtohet Kuvendit me një shkresë, ku të vihet në dukje vështirësia që paraqet kuadri ligjor në fushën e përgjegjësisë disiplinore të anëtarëve të Këshillave, të cilët, nga njëra anë gjykojnë dhe vendosin mbi propozimet e ILD-së, për masat disiplinore ndaj magjistratëve, ndërsa, nga ana tjetër, mund të jenë vetë, subjekte të procedimit disiplinor nga ana e ILD-së“, thuhet në njoftimin e KlP.

KLP bëri me dije edhe vendimarrjet e mbledhjes plenare.

Lexo edhe: ILD kërkon shkarkimin e prokurorit të Pogradecit, në “sitë” edhe ajo e Korçës

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot, më 20.10.2021, mbledhjen plenare të radhës. Seanca u ndoq edhe nga përfaqësues të programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT. Pasi u njoh me relacionet e përgatitura nga Komisioni Disiplinor dhe me propozimin për caktimin e datës së seancës dëgjimore në lidhje me procedimin disiplinor ndaj magjistratëve {…} dhe {…}, Këshilli vendosi caktimin e datës 03.11.2021 ora 11.00, për zhvillimin e seancës dëgjimore, në lidhje me procedimin disiplinor nr.1289/2, datë 07.10.2021, filluar me kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ndaj magjistratit {…}. Gjithashtu, Këshilli vendosi caktimin e datës 13.12.2021 ora 11.00, për zhvillimin e seancës dëgjimore në lidhje me procedimin disiplinor  nr.1292/4, datë 12.10.2021, filluar me kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ndaj magjistratit {…} Këshilli vendosi caktimin e përkohshëm në pozicionin e Prokurores të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Korçë, znj. Irena Çunoti, për një periudhë tremujore, nga data 20.10.2021 – 19.01.2022“, vijon njoftimi. be.k/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!