Konfliktet institucionale, 315 studentë të Ekonomikut zvarriten prej 1 viti për diplomën

schedule21:43 - 1 Korrik, 2020

schedule 21:43 - 1 Korrik, 2020

Rreth 315 studentë të ekonomikut për shkak të konflikteve institucionale, ende nuk kanë marrë diplomat, një proces që është zvarritur prej një viti. Ndonëse Ministria e Arsimit kërkoi që Rektori i Universitetit të Tiranës të firmosë diplomat e studentëve pasi numrat e matrikullimit janë të ligjshëm.

Vetë rektori Mynyr Koni ka reaguar për këtë çështje duke thënë se qëndrimi i tij mbetet i njëjtë dhe se firmosjen e diplomave do ta bëjë vetëm kur procesi të kryhet sipas mënyrës ligjore.

“Në momentin kur në Rektoratin e UT, do të përcillet nga dekani i Fakultetit të Ekonomisë i UT, lista përfundimtare e studentëve të regjistruar, me të dhënat e tyre për matrikullim (për vitin akademik 2017-2018), Rektori do të veprojë në mënyrë të menjëhershme, me nënshkrimin e tyre. Kjo është e vetmja mënyrë institucionale, e rregullt dhe ligjore, në zbatim të ligjit të arsimit të lartë 80/2015 dhe Udhëzimit përkatës, të nxjerrë nga vetë Ministri përgjegjës për arsimin, të cilën ja kam bërë me dije dhe ja kam kërkuar prej disa muajsh edhe Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë”, është shprehur Mynyr Koni.

Të mbetur peng për shkak të këtij konflikti mes dekanatit të Fakultetit Ekonomik, Rektorit të UT dhe Ministrisë së Arsimit, studentët shprehen se do t’i drejtohen Gjykatës Administrative.

“Në Gjykatën Administrative ne do të dërgojmë Universitetin e Tiranës dhe do t’i kërkojmë përveç kartonit të diplomës edhe dëmshpërblimin për çdo student. Nuk na intereson lufta mes dy institucioneve, ato le t’i zgjidhin vetë. Ne jemi studentë, kemi paguar dhe ajo që kërkojmë është që Universiteti të na pajisë me diplomë dhe mos penalizohemi në rritjen profesionale”, shprehet studentja  Ina Mulellari.

Ndërkohë Ministria e Arsimit, ka vendosur zhvillimin e zgjedhjeve për autoritetet dhe organet drejtuese në institucionet e arsimit të lartë më 30 korrik. Zgjedhje të cilat pritet të zgjidhin dhe këto lloj konfliktesh brenda institucioneve të arsimit të lartë. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!