Konflikte në ndeshjet e fundit në NBA

schedule15:09 - 12 Mars, 2019

schedule 15:09 - 12 Mars, 2019

Dy konflikte të ashpra ndodhën në ndeshjet e fundit në basketbollin amerikan. Dy lojtarë u përleshën fizikisht, ndërsa ylli Rasëll Uestbruk shkëmbeu ofendime me një tifoz.

Më i bukuri basketboll në botë, por jo gjithnjë e shfaq anën e bukur. NBA mund të jetë sporti më popullor në Amerikë dhe nga më spektakolarët në planet, por edhe atje ka konflikte, tensione dhe dhunë. Një i tillë në Arenën e shkëlqyer të Klivlendit, ekipit nënkampion në fuqi të Shteteve të Bashkuara, ku dy prej lojtarëve u përleshën fizikisht.

Të dhunshmit ishin Serg Ibaka dhe Markis Kris, pas një aksioni që u duk krejt normal, pas të cilit Ibaka u rrëzua përtokë, por jo për faj të kundërshtarit. Gjithsesi, lojtari i Torontos sulmoi basketbollistin e Klivlendit, dhe të dy lëshuan grushta ndaj njëri-tjetrit.

Të dy ata u përjashtuan, por faji më i madh iu dha Ibakës, që pritet të dënohet në mënyrë shembullore nga komisionet e disiplinës në NBA. Përsa i përket ndeshjes, Klivlendi arriti një fitore të rrallë dhe të papritur, duke mundur një nga ekipet më të mirë, Toronton, 126-101.

Konflikti i dytë ishte më serioz, në duelin Juta Xhaz-Oklahoma. Ylli i miqve, Rasëll Uestbruk, u acarua jashtë mase në një moment, duke u kthyer nga një tifoz, duke e ofenduar e kërcënuar. Pamjet dhe fjalët e tij u regjistruan nga të pranishëm në Arenë, dhe pritet që NBA të hapë proces disiplinor ndaj tij, por Uestbruk reagoi ashpër.

“Jam i lodhur duke duruar sjellje të tilla, që ndodhin shpesh kur luajmë jashtë fushe, – tha Uestbruku, – duhet të merren masa për njerëz të tillë që vijnë në ndeshje për të ofenduar. Nuk është aspak e ndershme ndaj lojtarëve. Nëse do të më ndodhë sërish kështu, do të sillem përsëri në të njëjtën mënyrë sepse unë di ta mbroj veten dhe familjen time”.

Tifozi i quajtur Shejn Keisel, po ashtu foli për kamerat, dhe deklaroi se nuk e kishte ofenduar Uestbrukun apo të dashurën e tij, si dhe duke shtuar se gjithçka kishte nisur si shaka. Pritet që të ketë një hetim për të dy, ndërsa në fushën e lojës Uestbruk doli fitues, duke shënuar 23 pikë, kapur 11 topa në tabela e shërbeu 8 pasime për kosh./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!