Konfirmon kryeministri kanadez: Avioni ukrainas u rrëzua nga raketa iraniane

schedule21:58 - 9 Janar, 2020

schedule 21:58 - 9 Janar, 2020

Pas lajmit të publikuar në mediat amerikane, se avioni ukrainas u rrëzua nga raketa iraniane, vjen i njëjti pohim edhe nga kryeministri kanadez, Justin Trudeau.

Kryeministri është shprehur se sipas burimeve të inteligjencës kanadeze por edhe të vendeve aleate, avioni me 176 persona në bord është rrëzuar nga raketa iraniane.

“Ne kemi informacione nga burimet tona të shumta, përfshirë aleatët tanë dhe inteligjencën tonë. Provat tregojnë se avioni u qëllua nga një raketë iraniane. Kjo mund të ketë ndodhur pa qëllim”, tha kryeministri në një konferencë shtypi.

Trudeau ka bërë thirrje për një hetim të plotë mbi atë që shkaktoi përplasjen, por nuk do të sigurojë detaje shtesë rreth provave dhe inteligjencës që ai përmendi.

Ndërkaq, mediat amerikane kanë raportuar sot se SHBA gjithnjë e më shumë beson se Irani gabimisht rrëzoi avionin, sipas zyrtarëve të shumtë amerikanë.

Kujtojmë se numri më i madh i viktimave në avioni me 176 pasagjerë ishin nga Kanadaja./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!