Konferenca e parë ndërqeveritare, Tabaku: Nuk ka kohë për festë!

schedule10:20 - 19 Korrik, 2022

schedule 10:20 - 19 Korrik, 2022

Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka reaguar ndërkohë që në Bruksel mbahet konferenca e parë ndërqeveritare për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Tabaku thotë se nuk ka kohë për festë, teksa e quan atë që po ndodh  një prej momenteve më kulmore të historisë së Shqipërisë.

Më tej, deputetja demokrate thotë se tashmë gjithnjë e më pak, alibia dhe fajtorët do të gjenden tek BE, nëse procesi nuk shkon siç duhet.

Reagimi i plotë:

Nuk ka kohë për festë!

Konferenca e parë ndërqeveritare, që do të thotë nisja e negociatave për anëtarësim në BE, është një prej momenteve kulmore të historisë së Shqipërisë.

Një proces që vjen 16 vite pas nënshkrimit të MSA nga qeveria shqiptare dhe po mos të ishin kapriciot e një opozite që fatin e integrimit e lidhi me atë të qarkut të Fierit do të kishte një tjetër drejtim dhe me gjasë një tjetër shpejtësi. Por, siç thotë fjala e vjetër edhe e urtë shqiptare “më mirë vonë se sa kurrë!”

Përtej të gjithave, kjo ditë shënjon vullnetin e mirë dhe dëshirën edhe të vetë BE që ndryshe nga paragjykimet me vetëdije të qeverisë ia arriti çeljes së negociatave. Tanimë pakkush do të gjejë alibinë e preferuar tek BE-ja gjithnjë e më pak do rrëmohet në anale debatesh politike për të gjetur fajtorët andej!

Megjithëse BE ka provuar sa ka qenë pranë nesh sa herë që ne kemi kërkuar ndihmë madje edhe duke e ditur se si qeveria jonë i manaxhon ndihmat, si fjala vjen për tërmetin apo pandeminë. Pa folur për projektet infrastrukturore që jo rrallë janë nënvlerësuar nga një qeveri që shpërdoron shumë dhe jep llogari pak.

Fatkeqësisht në këtë ditë të shënuar, me gjasë edhe për të hequr syrin e keq, qeveria dhe mazhoranca janë përkujdesur në maksimum që të mos ftojnë në atë tavolinë opozitën e cila ka meritat e padiskutueshme në procesin e integrimit.

Jo vetëm si forca e parë politike që ndërmori hapa konkretë për anëtarësimin e vendit në NATO që në fillim të viteve 1990. Por, mbi të gjitha, si një forcë politike që në 8 vite qeverisje ka mundur të hedhë hapa të rëndësishëm përpara në këtë proces.

Mungesa e opozitës është simfonia e vjetër e një orkestre që nuk lodhet së përsërituri partiturën e një politike të dalë mode. Dirigjenti i së cilës mendon se mund të eklipsojë opozitën duke dashur të jetë në qendër të vëmendjes. Gjynah!

Si kryetare e Këshillit Kombëtar të Integrimit do të fokusoj punën dhe rolin e këshillit në mbikeqyrjen e këtij procesi, në kontrollin e monitorimin e strukturave. Pasi do të ishte e udhës që parlamenti shqiptar të merrte gjithnjë e më shumë funksione dhe pushtet në dorë në lidhje me këtë proces që nuk është pronë e asnjë force politike përpos e forcës së shqiptarëve për me qenë pjesë e BE-së.

Ky interes kombëtar duhet të jetë edhe prioriteti i qeverisë dhe mbi të gjitha politikës sonë pa dallime partiake. Tentativat për të instrumentalizuar këtë proces apo gjoja arritje kanë prodhuar skena të padëgjuara ku janë nderuar me medalje për arritje të paqena diplomatë ndërkohë që procesi kishte ndaluar.

Koha të reflektojmë dhe të prodhojmë një politikë që i shërben procesit të integrimit. Pa përsëritur butaforitë e mëhershme që kanë dashur të privatizojnë me propagandë arritjet e paqena. E duke i dhënë mundësi reale Shqipërisë të vijojë procesin e integrimit së pari e mbi të gjitha në favor të shqiptarëve.

Nuk njoh forcë tjetër transformuese si ky proces, e nuk njoh mënyrë tjetër për ta ndryshuar Shqipërinë edhe për ta afruar me partnerët tanë strategjikë! /abcnews.al

Festa ka përfunduar. Tani duhet të nisim punën reale!

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!