Autoritetet në Shtetet e Bashkuara po hartojnë një listë me emrat e kompanive kineze që duhen përjashtuar nga tregjet financiare amerikane. Sipas mediave ndërkombëtare, lëvizja, që ka gjasa të thellojë konfliktin tregtar Uashington-Pekin, vjen për arsye që lidhen me sigurinë kombëtare.
Administrata amerikane po shqyrton një masë të re për përjashtimin e një numri të konsiderueshëm kompanish kineze nga bursat e Shteteve të Bashkuara. Lajmin e bën të ditur agjencia “Reuters”, që citon burime në dijeni të çështjes. Lëvizja në fjalë mund të çojë në një përshkallëzim radikal të tensioneve tregtare mes Uashingtonit dhe Pekinit. Gjithashtu, ajo mund të jetë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të kufizuar investimet amerikane në Kinë – kanë deklaruar burimet e cituara nga “Reuters”. Ato kanë shtuar se manovra mund të jetë e motivuar nga shqetësimet e administratës amerikane se kompanitë kineze mund të përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare. Treguesit e disa prej kompanive kineze reaguan menjëherë në bursat amerikane. Aksionet e grupit “Alibaba”, “Xhej Di.com” dhe “Baidu” ranë me 4 deri në 7 për qind të vlerës. Ende nuk është e qartë se si do të funksionojë manovra e Shteteve të Bashkuara, por në qershor ligjvënësit amerikanë nga të dyja krahët prezantuan një draft që i kërkon kompanive kineze t’u nënshtrohen rregullave të enteve mbikëqyrëse dhe të lejojnë auditet, në të kundërt do të përballen me përjashtim nga tregjet financiare amerikane. Deri më sot, autoritetet kineze nuk kanë lejuar entet rregullatore të huaja të inspektojnë kompanitë e saj, duke paraqitur si argument arsye që lidhen me sigurinë kombëtare. /ABC News Albania 24/7