Mblidhet sot komisioni për shkarkimin e Metës, diskutohet opinioni i “Venecias”

schedule09:38 - 13 Korrik, 2020

schedule 09:38 - 13 Korrik, 2020

Pas një ndërprerjeje disa mujore, Komisioni që heton Presidentin Ilir Meta për shkelje të Kushtetutës, po i rikthehet çështjes sërish, tanimë jo vetëm me pretendimet e maxhorancës kundër tij.

Afati i komisionit nuk premton shumë kohë, ndaj sot mbledhja e do të përqendrohet tek Opinioni i Komisionit të Venecias mbi emërimet e vitit të shkuar të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që vazhdon të jetë jo funksionale.

Ky opinion, që e kërkoi institucioni i Kuvendit, i ka dhënë të drejtë Presidentit Meta në përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, dhe pezullimin e betimit të Arta Vorpsit dhe zgjedhjen e Marisa Xhaferllari, edhe pse nuk kishte renditjen më të mirë nga KED.

Në këto kushte, të një vlerësimi të tillë nga Komisioni i Venecias, mbetet të shikohet vendimi i maxhorancës, që në fakt ka dhënë sinjale tërheqjeje nga qëllimi i saj për të nxjerr Metën nga Presidenca përpara datës 24 korrik 2022.

Komisioni hetimor ka afat deri më datën 31 të këtij muaji për të dhënë vendimin për Presidentin Meta, që u vu nën hetim nga maxhoranca fillimisht për zhdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. /abcnews.al