Komisioni për dezinformimin, Qefalia: Nuk do të ngrihet për qëllime elektorale. Do të kërkojë ekspertë nga BE, NATO dhe SHBA

schedule13:32 - 11 Prill, 2024

schedule 13:32 - 11 Prill, 2024

Deputeti i Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia thotë se komisioni për dezinformimin nuk do të ngrihet për qëllim elektorale, por për të rritur vëmendjen, lidhur me sigurinë kombëtare.

Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Qefalia u shpreh se komisioni do të kërkojë ekspertë nga BE, NATO, SHBA.

Sipas Qefalisë, në çdo rast, kryetari i komisionit i takon mazhorancës.

“Kjo është një çështje që ka 10 ditë që është hedhur për diskutim, madje është elaburuar edhe në media. Ka ardhur dhe është futur në mbledhjen e kryetarëve të komisioneve për të kaluar në seancën plenare. Edhe në takimin e parë, zoti Bardhi, ka kërkuar të ketë njëfarë kohe. Aludimet e shumta që kanë vluar në rrjetet sociale, në mediat, kanë qenë shumë të trishta, duke krijuar aludime se gjithçka po kontrollohet, gjithçka po monitorohet, ndërkohë asgjë nuk është e vërtetë. Roli dhe misioni i këtij komisioni ka të bëjë pikërisht me rritjen e vëmendjes për sigurinë kombëtare.

Nuk bëhet fjalë për mbyllje portalesh apo heqje të fjalës së lirë. Për ta bërë sa më aktual, nuk është një propozim i kësaj mazhorance për qëllime elektorale, po ta shikosh me vëmendje, në një pikë të veçantë, thuhet që komisioni do kërkojë ekspertë nga BE, NATO, SHBA. Është diçka publike, nuk ka të bëjë aspak me hamendësime apo me paqartësi. Nuk e konfirmoj për aq kohë sa komisioni nuk është ngritur. Në çdo rast, kryetari i takon mazhorancës”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!