Komisioni për Çështjet Evropiane, ministri Hasani: Projekt buxheti 2025 është 20% më i lartë se ai i një viti më parë

schedule11:39 - 11 Nëntor, 2024

schedule 11:39 - 11 Nëntor, 2024

Ministri i jashtëm Igli Hasani ka raportuar në Komisionin për Çështjet Evropiane lidhur me projekt buxhetin e Shërbimit të Jashtëm për vitin 2025 dhe mbi procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Gjatë fjalës së tij Hasani nënvizoi se projektbuxheti i 2025 është 20 % më i lartë se ai i një viti më parë.

“Ky buxhet do të mbështesë avancimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian dhe përpjekjet për të forcuar diplomacinë ekonomike”, tha më tej Hasani.

Gjithashtu theksoi se forcimi i rolit të Diasporës shqiptare shihet si një burim i çmuar për zhvillimin e vendit.

Fjala e plotë ministrit të Jashtëm Igli Hasani;

E nderuar Zonja Kryetare, Të nderuar anëtarë të Komisionit,

Faleminderit për ftesën dhe mundësinë për të ndarë informacion mbi projekt-buxhetin e vitit 2025 për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe objektivat e diplomacisë shqiptare. Viti 2024 ka shënuar arritje të rëndësishme për politikën e jashtme shqiptare, duke përfshirë jo vetëm hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por dhe forcimin e marrëdhënieve me partnerët tanë strategjikë, rritjen e e angazhimeve në organizatat ndërkombëtare dhe forumet shumëpalëshe, mbrojtjen e interesave të shqiptarëve kudo në botë përmes modernizimit dhe efikasitetit të shërbimeve ndaj tyre, konsolidimin e imazhit të vendit si faktor stabiliteti rajonal, por dhe si ofrues i potencialeve për investime të huaja dhe shkëmbime ekonomike e tregtare. Në funksion të një diplomacie sa më efektive dhe nevojave për zgjerimin e aktivitetit diplomatik e konsullor gjatë këtij viti, është rritur prania jone në rajon dhe dhe shtete të tjera duke përfshirë ambasadat e reja në Kiev dhe Baku, si dhe konsullatat e hapura në Strugë dhe Ulqin, që janë hapa të rëndësishëm për të mbështetur qytetarët tanë dhe për të avancuar interesat e Shqipërisë në arenën globale.

Për vitin 2025, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka hartuar një projekt-buxhet ambicioz për të mbështetur politikat dhe strategjitë tona. Ky buxhet, që arrin në shifrat e 3.8 miliardë lekë, është më i madhi në historinë e Shërbimit të Jashtëm dhe do të financojë një sërë iniciativash kyçe, duke përfshirë mbështetje të fortë për funksionimin e misioneve diplomatike dhe konsullore, si dhe angazhimin tonë në nismat rajonale dhe në programet e BE-së. Ky buxhet gjithashtu do të mbështesë avancimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian dhe përpjekjet për të forcuar diplomacinë ekonomike.

Investimet për vitin 2025 përfshijnë projekte inovative, si modernizimi i shërbimit konsullor online dhe sistemit E-Visa, që do të përmirësojnë shërbimet për qytetarët shqiptarë jashtë vendit. Po ashtu, mbështetja për diasporën shqiptare është një prioritet i veçantë, me synimin për të forcuar lidhjet kulturore dhe ekonomike, si dhe për të mundësuar zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Disa nga objektivat më të rëndësishëm të politikës sonë të jashtme për vitin 2025 përfshijnë:- Avancimin e procesit të integrimit evropian dhe përgatitjen e vendit për anëtarësim deri në vitin 2030, duke forcuar angazhimin tonë në reformimin e institucioneve dhe proceseve.

– Pjesëmarrjen aktive në nismat rajonale, si Procesi i Berlinit dhe Plani i Rritjes, si dhe programet e tjera të BE-së, për të siguruar integrimin gradual të rajonit në Bashkimin Evropian.

– Ruajtjen e profilit të Shqipërisë në fushën e multilateralizmit dhe angazhimin proaktiv në organizatat ndërkombëtare duke përmendur faktin, si anëtar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së dhe në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s.

– Thellimin e marrëdhënieve me partnerët strategjikë, përfshirë SHBA-të, BE-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, pa harruar vendet tona fqinjë Italinë,Greqinë si dhe Turqinë, për të forcuar bashkëpunimin në fusha të ndryshme, si siguria dhe zhvillimi ekonomik.

– Forcimin e diplomacisë ekonomike, me fokus në rritjen e shkëmbimeve tregtare, promovimin e eksporteve dhe thithjen e investimeve të huaja për të nxitur zhvillimin ekonomik të vendit.

– Rolin e diasporës shqiptare si një burim i çmuar për zhvillimin e vendit, duke mbështetur modernizimin e shërbimeve konsullore dhe forcimin e lidhjeve me komunitetet jashtë vendit.

– Përmirësimin e shërbimeve për qytetarët përmes platformave dixhitale, duke ofruar ndihmë të menjëhershme për  mbrojtjen e interesave të qytetarëve tanë jashtë vendit.

– Mbështetje për Kosovën në procesin e njohjes ndërkombëtare dhe forcimin e kohezionit të faktorit shqiptar në rajon, duke promovuar një dialog konstruktiv dhe bashkëpunim të ngushtë.Gjithashtu, angazhimi ynë për zgjerimin e rrjetit diplomatik do të vijojë, me hapjen e ambasadave të reja në Bosnjë-Hercegovinë, Indi, Indonezi dhe Kenia, si dhe konsullata të përgjithshme në disa destinacione strategjike. Këto hapa do të ndihmojnë në forcimin e rolit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe do të kontribuojnë në realizimin e objektivave tona ambicioze për të ardhmen.Të nderuar deputetë,

Për të realizuar këto objektiva ambiciozë, projekt-buxheti për Shërbimin e Jashtëm parashikon një rritje të konsiderueshme prej 635 milion lekësh krahasuar me vitin aktual, një shtesë prej 20% që tregon angazhimin tonë të palëkundur për të forcuar diplomacinë shqiptare.

Ky buxhet do të financojë një sërë iniciativash kyçe, të cilat përfshijnë:

  1. Mbështetjen për misionet diplomatike dhe konsullore dhe hapjen e përfaqësive të reja dhe zhvillimin e aktiviteteve diplomatike.
  2. Organizimin dhe koordinimin e aktiviteteve që lidhen me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe bashkëpunimin rajonal: me fokus në rritjen e bashkëpunimit me vendet e BE-së dhe rajonin.
  3. Angazhimin e Shqipërisë për të forcuar lidhjet me BE-në dhe pjesëmarrjen në organizatat ndërkombëtare
  4. Angazhimin në forume shumëpalëshe dhe përmbushjen e detyrimeve të anëtarësimit.
  5. Mbështetje për diasporën shqiptare për modernizimin e shërbimeve konsullore, regjistrimin e diasporës dhe krijimin e një rrjeti efektiv për profesionistët shqiptarë jashtë vendit.
  6. Mbështetje ekskluzivisht për Shërbimin e Jashtem

Investimet do të përfshijnë 2 projekte inovative, të  cilat kanë vite që menaxhohen, por shpresoj që në vitin 2025 të kalojnë në një stad më të plotë;

Sistemi i Shërbimit Konsullor Online dhe

Modernizimi i sistemit E-Visa

Në tërësi, ky buxhet, pavarësisht rritjes së konsiderueshme, nuk është fundi i procesit të investimeve në politikën e jashtme. Ne jemi të vetëdijshëm se ky është një proces i vazhdueshëm, dhe me një menaxhim të kujdesshëm, ky buxhet do të kontribuojë në avancimin e diplomacisë shqiptare dhe integrimin e Shqipërisë në familjen evropiane, duke çuar vendin në një fazë të re zhvillimi.Të nderuar deputetë,

Përpjekjet tona për integrimin në Bashkimin Evropian përfaqësojnë një synim të madh kombëtar. Anëtarësimi në BE është jo vetëm një mundësi për zhvillim ekonomik, por një proces transformues që përmirëson institucionet dhe jetën e çdo qytetari shqiptar.

Ky proces ka përfshirë breza të tërë dhe përfaqëson aspiratat e çdo shqiptari për një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt. Qeveria shqiptare është e përkushtuar të ndjekë këtë rrugë me vendosmëri, duke theksuar se “Europa e Bashkuar është busulla jonë dhe familja natyrale, të cilës i përkasim, por ku ende mungojmë”.

Më 15 tetor 2024, Shqipëria bëri një  hap shumë të rëndësishëm përpara, duke mbajtur Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian në Luksemburg, ku filluam negociatat për grupkapitullin e parë, “Themelorët”, që përfshin reforma në sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, administratën publike dhe luftën kundër korrupsionit.

Ky ishte një moment i rëndësishëm për Shqipërinë, duke dërguar një mesazh të qartë se jemi të gatshëm të përmbushim standardet e Bashkimit Evropian dhe të kontribuojmë në stabilitetin dhe paqen në rajonin tonë.

Në vijim, më 30 tetor 2024 Komisioni Evropian vlerësoi angazhimin e Shqipërisë, duke vënë në dukje përparimet tona dhe linjëzimin e plotë me politikën e jashtme të BE-së.

Ky është një indikator i rëndësishëm i angazhimit tonë si një partner i besueshëm dhe i angazhuar në arenën ndërkombëtare. Këtu duhet të shtojmë mbështetjen e fortë nga institucionet kryesore të BE-së për të avancuar në procesin e integrimit, duke hapur grupkapituj të rinj dhe duke siguruar përparim në përmbushjen e angazhimeve tona.

Roli i Presidencave të Këshillit të BE-së është gjithashtu i rëndësishëm, dhe ne shpresojmë që Polonia, e cila merr Presidencën në gjysmën e parë të vitit 2025, të na ndihmojë në hapjen e grupkapitujve të rinj të negociatave. Ky është një moment kyç për ne, dhe bashkëpunimi i ngushtë me Presidencat e ardhshme do të jetë një faktor vendimtar për ruajtjen e ritmit të negociatave dhe për përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.

Falë Presidencës së Hungrisë, ne po avancojmë me ritme shumë të mira dhe kontributi është mëse evident.

Për vitin 2025, ne kemi një plan të qartë dhe të strukturuar për arritjen e anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, një synim që mbështetet nga Komisioni Evropian për mbylljen e negociatave me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne jemi të vendosur ta shndërrojmë Shqipërinë në një model të transformimit dhe integrimit, duke hapur grupkapituj të rinj negociatash, me synimin për ta  përmbyllur këtë hapje të grupkapitujve deri në  fund të vitit të ardhshëm.

Ky proces është i lidhur ngushtë me përpjekjet tona për zhvillimin e një ekonomie dinamike dhe një demokracie funksionale, dhe do të realizohet përmes politikave dhe reformave që do të ofrojnë kushte të barabarta për rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Një element kyç në këtë proces do të jetë mbajtja e një komunikimi të hapur dhe të vazhdueshëm me shtetet anëtare të BE-së. Ne do të ofrojmë përditësime të rregullta mbi progresin e reformave tona dhe do të kërkojmë mbështetje për integrimin. Bisedimet me partnerët tanë, si dhe pjesëmarrja aktive në nisma rajonale, si Procesi i Berlinit dhe Samiti i Komunitetit Politik Evropian, do të forcojnë lidhjet e Shqipërisë me Ballkanin dhe do të kontribuojnë në stabilitetin rajonal.

Intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik dhe zbatimi i Planit të Rritjes, që synon përshpejtimin e konvergjencës ekonomike me Bashkimin Evropian, janë gjithashtu objektiva të rëndësishëm për ne. Ne jemi të angazhuar të zhvillojmë një proces të ngushtë koordinimi me institucionet e BE-së, për të ndihmuar në ndërtimin e një imazhi të fortë dhe të besueshëm për Shqipërinë.

Doja ta mbyllja këtë fjalë paraprake duke nënvizuar se,  Shqipëria ka një plan të qartë për të realizuar aspiratat e saj evropiane.

Ky është një rrugëtim i gjatë, por me angazhim të fortë dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë evropianë dhe ndërkombëtarë, jemi të bindur se do ta arrijmë këtë objektiv madhor deri në vitin 2030.

Ky proces kërkon përpjekje dhe bashkëpunim nga të gjithë ne, si institucione, si individë, si qytetarë të Republikës, por dhe si komb, dhe së bashku do të realizojmë ëndrrën tonë për një Shqipëri të integruar plotësisht në Bashkimin Evropian.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!