Ekspertët nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) filluan sot ofrimin e ndihmës teknike mjeko-ligjore, me kërkesë të Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur, në zhvarrosjen e eshtrave në guroren e papërdorur Kishevak, pranë Raska-s në Serbinë e Jugut .
Vendi besohet se mban eshtrat e shqiptarëve të Kosovës të zhdukur nga konflikti i vitit 1999.
Autoritetet kanë përdorur raporte të përputhjes së ADN-së për të identifikuar më shumë se 2,500 nga 4,500 personat që vlerësohen të zhdukur nga konflikti në Kosovë. Në vitin 2015, duke mbështetur Komisionin Serb për Personat e Zhdukur, ICMP monitoroi fazën fillestare të gërmimit në Kishevak.
Sidoqoftë, në atë kohë nuk u gjetën mbetje njerëzore.
Përpjekjet për të gjetur vendin e varrit masiv vazhduan në mënyrë të përsëritur deri në fillim të këtij muaji kur Komisioni Serb gjeti mbetje skeletore në vend, me ndihmën e imazheve ajrore.
ICMP ka siguruar që nga viti 2001 ndihmë teknike kriminalistike për të zhvarrosur katër varre masive të lidhura me konfliktin e Kosovës në Serbi, të vendosura në Batajnica, Petrovo Selo, Bajina Basta dhe Raska Rudnica .
Po ashtu, Komisioni ka ndihmuar në identifikimin e bazuar në ADN-në e 97 për qind të rreth 900 rasteve të eshtrave të gjetura nga këto zona.
“ICMP vazhdon të ndihmojë autoritetet në Serbi në respektimin e detyrimit të tyre sipas ligjit vendor dhe ndërkombëtar,” tha Mattheë Holliday, Shefi i Programit të ICMP për Ballkanin Perëndimor.
Asistenca mjeko-ligjore teknike e ICMP në zhvarrosjen e Kishevak financohet nga Bashkimi Evropian si pjesë e një projekti që synon të forcojë bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor për të zgjidhur rastet e personave të zhdukur nga konfliktet e viteve 1990.
ICMP është një organizatë ndërqeveritare e bazuar në traktate me seli në Hagë, Holandë. Mandati i tij është të sigurojë bashkëpunimin e qeverive dhe të tjerëve në gjetjen e personave të zhdukur nga konflikti, abuzimet e të drejtave të njeriut, katastrofat, krimi i organizuar, migrimi i parregullt dhe shkaqe të tjera. s.b /abcnews.al/