Komisioni i Ekonomisë, drejtuesi i AMF: Tregu i sigurimeve rriti aftësinë paguese dhe provigjionet

schedule15:22 - 11 Maj, 2021

schedule 15:22 - 11 Maj, 2021

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete ka prezantuar sot në mbledhjen online të Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Raportin e veprimtarisë së Autoritetit për vitin 2020.

Gjatë fjalës së tij, Mete bëri një pasqyrim të zhvillimeve kryesore përgjatë vitit pandemik 2020 si dhe ndikimi që patën dëmet e shkaktuara nga tërmetet e fundvitit 2019.

Sipas Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv,megjithëse ndikimet fillestare të pandemisë ishin të ndjeshme, tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit u shfaqën rezistentë, ndërsa treguesit e 3-mujorit të parë të këtij viti sugjerojnë rikthimin e tyre në normalitet.

“Sipas të dhënave paraprake, tregu i sigurimeve ka njohur rritje me 12.5% të të ardhurave për janar-marsin 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa tregu i fondeve të investimit ka rritje me 2.4% të vlerës së aseteve neto për 3-mujorin e parë të vitit 2021, krahasuar me 3-mujorin e fundit të vitit të kaluar.”

Më tej, u prezantuan edhe disa nga masat kryesore të ndërmarra nga Autoriteti në funksion të ruajtjes së qëndrueshmërisë financiare të tregjeve dhe vijimësisë së veprimtarisë së subjekteve nën mbikëqyrje.

Vendimi i AMF për pezullimin e shpërndarjes së dividendit, si edhe plani i veprimit me sens rimëkëmbjeje për 2 shoqëri sigurimi ndikuan në përmirësimin e treguesve financiarë të shoqërive të sigurimit, aq më tepër në një vit të vështirë ku u shënua një rënie me 5.73% e të ardhurave nga primet.

Tregu i sigurimeve rriti kapitalet e veta me 1.85 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë. Treguesi i aftësisë paguese për shoqëritë e sigurimit të Jo-Jetës ka pësuar një rritje të konsiderueshme, në masën 67%, nga 106% në vitin 2019 në 173% në vitin 2020.

Tregu i sigurimeve ka shënuar përmirësime edhe në treguesin e aktiveve në mbulim të provigjoneve. Aktualisht, ky tregues për tregun e Jo-Jetës është në nivelin 131.6%, ndërsa për Jetën 130.2%.

Referuar trajtimit të dëmeve pas dy tërmeteve të fundvitit 2019, siç deklaroi edhe Ervin Mete, vitin e kaluar u paguan rreth 3 miliardë lekë dëme, ndërsa janë mbyllur 90% e praktikave përmes pagesave të dëmshpërblimit.

Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, përgjithësisht shoqëritë e sigurimit kanë trajtuar me korrektësi dëmet nga tërmeti. Rezulton se vetëm 6 çështje janë ankimuar deri tani në gjykatë nga totali prej 6295 kërkesa për dëmshpërblim në lidhje me dy ngjarjet e tërmetit. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!