Komisioni i 6 janarit: Trump i kërkoi zv.presidentit Pence të shkelte ligjin

schedule01:10 - 17 Qershor, 2022

schedule 01:10 - 17 Qershor, 2022

Të enjten e 16 qershorit u zhvillua seanca e tretë dëgjimore e mbledhjes së komisionit që po heton sulmin e dhunshëm ndaj Kongresit Amerikan më gjashtë janar të vitit të kaluar. Në këtë seancë po dëgjohen dëshmi rreth trysnisë që ish-presidenti Donald Trump ushtroi ndaj ish-zv.presidentit Mike Pence, që të ndalonte çertifikimin nga Kongresi të fitores së demokratit Joe Biden.

Sipas anëtarëve demokratë të Komitetit Hetimor, Trump u përpoq të mblidhte mbështetësit e tij për t’i bërë presion ish-zv.presidentit Pence që të ndryshonte në mënyrë të njëanshme rezultatet e zgjedhjeve në Kongres – dhe si rezultat të vinte jetën e tij në rrezik.

Me njoftimin nga ana e zotit Pence, se nuk do ta pranonte kërkesën e zotit Trump, disa nga protestuesit, që u futën në Kongres, filluan të bërtisnin “Varni Mike Pence-n!”, ndërsa kalonin barrikadat e sigurisë, duke u përleshur me policinë dhe duke plaçkitur zyrat e ligjvenësve.

Ligjvënësja republikane Liz Cheney, në cilësinë e nënkryetares së komisionit hetimor dhe kundërshtarja më e zëshme e zotit Trump në komision, tha javën e kaluar, se ish-presidenti, i cili po e shihte kaosin në televizion nga Shtëpia e Bardhë, u tha ndihmësve të tij, se ishte dakord me idenë se zoti Pence duhej varur.

“Ndoshta mbështetësit tanë kanë të drejtë. Mike Pence e meriton një gjë të tillë”, dyshohet të ketë thënë zoti Trump.

Zonja Cheney tha gjithashtu se “Presidenti Trump besonte, se mbështetësit e tij në Kapitol, po bënin ‘atë që duhet të bënin’ “, duke iu referuar fjalëve të tij.
Seancat dëgjimore synojnë të përshkruajnë një panoramë të plotë të ngjarjeve që u shpalosën ndërsa mbështetësit e ish-presidentit republikan Donald Trump kërkuan të ndalonin Joe Biden që të konfirmohej si fituesi i zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Komiteti i udhëhequr nga Demokratët thotë se gjetjet e tij do të tregojnë se sulmi ishte rezultat i një përpjekjeje të koordinuar për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve. Në seancën e së enjtes, dy ish-këshilltarë të ish-zëvendëspresidentit Mike Pence po dëshmojnë se si ish-presidenti Trump u përpoq t’i bënte presion Pence që të përmbyste rezultatet e kolegjit zgjedhor të vitit 2020.

Një nga dëshmitarët e sotëm, Greg Jacob, ka qenë më parë këshilltari ligjor i Pence. Ai dëshmoi më parë në komision se John Eastman, një avokat i fushatës së Trumpit, kishte përshkruar një sërë propozimesh për Pence për të parandaluar certifikimin e zgjedhjeve, përfshi shpalljen e Trumpit fitues të zgjedhjeve ose refuzimin e zgjedhësve të shtetit.

J. Michael Luttig, një ish-gjyqtar federal që punonte si këshilltar i ish-zv.presidentit Mike Pence, tha se nëse Pence do të ndiqte urdhrat e ish-presidentit Donald Trump për të refuzuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, “kjo do të ishte e barabartë me një revolucion brenda një krize kushtetuese”.

Luttig shtoi se ai beson se komiteti i përzgjedhur i 6 janarit që heton kryengritjen e 6 janarit po shqyrton “të vërtetën e thellë” të SHBA-së.
Deri më tani më shumë se 800 persona janë arrestuar me akuza që variojnë nga hyrja e paligjshme, kryerja e akteve vandale ndaj Kongresit Amerikan, deri te sulmi ndaj policisë. Disa prej udhëheqësve të sulmit të dhunshëm janë akuzuar për komplot për të rrëzuar me forcë qeverinë.

Ish-presidenti Donald Trump deri më tani i ka hedhur poshtë seancat dëgjimore të komitetit të gjashtë janarit si një “gjykatë kangurësh” e krijuar për të shkëputur vëmendjen e amerikanëve nga “katastrofa” e një qeverie të udhëhequr nga demokratët.

Në një deklaratë të gjatë në fillim të kësaj jave, Trump akuzoi komitetin se ishte “i dëshpëruar për të ndryshuar narrativën e një kombi të dështuar” duke injoruar trazirat që shpërthyen gjatë protestave mbi drejtësinë racore në SHBA gjatë verës së vitit 2020.

Për më tepër, Trump akuzoi “pseudo-komitetin e pazgjedhur” për tradhti.

“Mos bëni gabim, ata kontrollojnë qeverinë. Ata e zotërojnë këtë fatkeqësi. Ata shpresojnë se këto seanca do të ndryshojnë disi perspektivat e tyre të dështuara,” tha ai./REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!