Komisioni Evropian ka paraqitur propozimin e tij për paketën e 18-të të sanksioneve kundër Rusisë. Masat e reja ndëshkuese synojnë kryesisht të ardhurat ruse nga burimet e energjisë dhe industria e armëve, njoftoi Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen. Presioni mbi Rusinë do të rritet, deklaroi von der Leyen në Bruksel. Forca është e vetmja gjuhë që Moska e kupton.
BE, vendet e G7-ës dhe Australia ranë dakord në dhjetor 2022 për një çmim tavan për naftën ruse për të ulur të ardhurat e Moskës nga eksportet e energjisë. Me këtë ulje të re të çmimit, Komisioni synon t’i përgjigjet kushteve në ndryshim të tregut, deklaroi von der Leyen.
Që nga futja e këtij limiti, çmimi global i naftës së papërpunuar është afruar gradualisht te 60 dollarë, madje ka rënë shkurtimisht nën këtë nivel. Presidentja e Komisionit shpjegoi se ulja do të diskutohet në samitin e G7 javën e ardhshme në Alberta, Kanada. Ajo shprehu “besim të madh se do ta arrijmë këtë qëllim”. Tavani i çmimit të naftës pritet të ulet nga 60 dollarë në 45 dollarë për fuçi.
Propozimi përfshin gjithashtu 77 anije të tjera të flotës fantazmë ruse dhe kompani tregtare nafte. Përveç kësaj, 22 banka të tjera ruse do të shtohen në listën e sanksioneve.