Shqipëria U-17 zhvilloi dy miqësore të rëndësishme ndaj Kosovës U-17 në kuadër të kualifikueseve të Kampionatit Europian 2024 për këtë grupmoshë. Kuqezinjtë regjistruan dy fitore, e para me përmbysje 2-1, ndërsa në sfidën e dytë Shqipëria U-17 triumfoi me rezultatin 3-1.
Tani vëmendja është në ndeshjet kualifikuese, me sfidat që do të zhvillohen në periudhën 15-21 nëntor në Portugali. Shqipëria U-17 është pjesë e grupit 5 dhe do të luajë ndaj bashkëmoshatarve të Portugalisë, Çekisë dhe Malit të Zi.
Trajneri i nën 17 vjeçarëve, Ardi Behari shpjegoi në një prononcim për fshf.org rëndësinë e dy ndeshjeve miqësore. Sipas tij, këto takime treguan se ekipi është në formë dhe gati për kualifikueset e Europianit 2023/2024. Ai theksoi se falë frymës së grupit dhe autoritetit që shfaqën lojtarët u arrit edhe përmbysja në ndeshjen e parë miqësore.
“Jam i kënaqur me ato përgjigje që mora nga skuadra, sepse këto miqësore treguan që lojtarët janë në formë, gëzojnë formë të mirë fizike, po fillojnë të piqen taktikisht, po fillojnë që të kenë edhe ndikimin tonë në mënyrën e lojës. Gradualisht kemi ardhur në këtë pikë, që mendoj se jemi gati për kompeticionin e nëntorit. Ajo që më pëlqeu më shumë sidomos në pjesën e dytë, ishte autoriteti i skuadrës, që komandoi gjithçka, e kishte lojën në dorë, prodhoi futboll, prodhoi rezultat dhe përveç rezultatit që nuk ka asnjë lloj rëndësie përpara faktit që lojtarët ndihen mirë me njëri – tjetrin, kanë filluar të kenë automatizmat e tyre, sulmuesit shënojnë pothuajse të gjithë dhe të gjitha këto fakte na nxjerrin në përfundimin që jemi gati për nëntorin”,- tha trajneri Behari, i cili nënvizoi gjithashtu se ky do të jetë grupi që do të përfaqësojë Shqipërinë U-17 në kualifikueset e Europianit 2023/2024.
“99 % ne jemi ky grup, na mungon vetëm Mattia Huqi. Për shkaqe objektive nuk erdhi, është lojtar i Empolit. Por me cilësitë që ka, ai lojtar është pjesë e grupit dhe përshtatja është një nga cilësitë e tij. Pak a shumë është kjo skuadër është ky grup, vetëm të shpresojm dhe të urojmë që të mos ketë dëmtime deri në fillimin e kompeticionit”,- përfundoi trajneri Ardi Behari. /FSHF