Kombëtarja U-21, Pëllumbi dhe Çelhaka një zëri: Kundër Sllovenisë vetëm për fitore, besojmë te vendi i dytë

schedule12:26 - 11 Nëntor, 2021

schedule 12:26 - 11 Nëntor, 2021

Kombëtarja e U-21 do të luajë ditën e nesërme në transfertë ndeshjen kundër Sllovenisë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit “Europian 2023”.

Për para kësaj sfide, në një konferencë për shtyp dolën dy lojtarët, Jurgen Çelhaka dhe Jorgo Pëllumbi.

Të dy lojtarët shprehen të bindur se ndaj Sllovenisë do të luajnë vetëm për fitore, si dhe mundësitë e Shpresave për vendin e dytë, sipas tyre janë shumë reale.

Jurgen Çelhaka iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, duke u shprehur shume optimist për këtë ndeshje.

Forma e skuadrës – Skuadrën e shikoj shumë mirë. jemi të gjithë lojtarët, kjo është e rëndësishme. Nuk kemi probleme shëndetësore, as dëmtime. E shikoj grupin në harmoni, pasi vijmë nga dy fitore të rëndësishme që kemi marrë dhe shpresoj të vazhdojmë aty ku e kemi lënë.

Fitorja me Slloveninë dhe objektivat për ndeshjen – Është e vërtetë që kemi marrë një tre pikësh me shumë vlerë me Slloveninë, kur kemi luajtur në shtëpinë tonë. Por të gjithë ata që e kanë parë ndeshjen, e kanë parë që kemi vuajtur shumë për ta marrë atë tre pikësh. Është një ekip shumë i fortë. Nëse e vlerësojmë siç e vlerësuam këtu në Shqipëri, besoj se do t’i marrim tre pikët edhe aty. Ky është qëllimi jonë.

Kosova? – Është një ekip që duhet vlerësuar. Ka lojtarë shumë të mirë, por ne jemi më shumë të fokusuar te Sllovenia, pastaj do mendojmë ndeshjen e radhës.

A e mendojmë vendin e dytë? – Normalisht që e mendojmë. Kemi marrë 9 pikë, kemi fituar ndaj Sllovenisë, kemi një grup me lojtarë shumë cilësorë, si individualisht, por edhe si grup. Do e synojmë vendin e dytë deri në fund.

Ecuria me klubin – Deri tani mirë. nuk kam minutat e nevojshme pasi dihet që kam bërë një transfertë nga Shqipëria, por mendoj se po përshtatem shumë mirë. Për momentin jam i fokusuar te Kombëtarja, të ndihmoj ekipin Kombëtar që të arrijë objektivat.

Edhe Jorgo Pëllumbi beson fort te fitorja dhe te vendi i dytë në grup duke treguar se kombëtarja U-21 ka lojtarë vërtet cilësorë.

Gjendja e ekipit deri sot – Kemi disa ditë stërvitje në Durrës. E shikoj grupin shumë mirë, jemi të gjithë në formë dhe nuk kemi dëmtime.

Sllovenia? – Kemi një ndeshje shumë të vështirë. Pak a shumë e njohim Slloveninë pasi luajtëm para një muaji këtu dhe besoj se do të jetë akoma më e vështirë se këtu. Por besojmë dhe do shkojmë të marrim tre pikëshin.

Ndeshja e dytë ndaj Kosovës? – Për momentin po studiojmë ndeshjen me Slloveninë, sepse ajo është e para dhe më e rëndësishmja për momentin. Kosovën e njohim nga viti i kaluar që kemi luajtur, e dimë që është një kundërshtar i fortë. Por në fillim do të fokusohemi te ndeshja me Slloveninë, pastaj mendojmë për Kosovën

Vendi i dytë në grup? – Në katër ndeshje kemi marrë 9 pikë. Kemi bërë një fillim shumë të mirë, mundësitë janë. Kemi lojtarë shumë të mirë në grup dhe besoj se është e arritshme, por do të shohim ndeshje pas ndeshje.

Ecuria me klubin dhe synimet për të ardhmen – Me klubin jam shumë mirë. Po luftojmë që të arrijmë vendin e parë që të kthehemi në ligën e parë në Kroaci. Ndërsa me Kombëtaren qëllimi është gjithmonë që të kualifikohemi. /f.a/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!