Kombëtarja U-19 rikthehet në aksion pas në muaji për të zhvilluar një ndeshje miqësore me Kombëtaren U-18. Testi do të luhet ditën e mërkurë në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz dhe do të nisë në ora 13:00.
Dy trajnerët e ekipeve kombëtare, Armando Cungu dhe Ardi Behari kanë vendosur të thërrasin rreth 40 lojtarë në total, të cilët aktivizohen në klube të kampionatit shqiptar, teksa mund të ketë edhe disa elementë që aktivizohen jashtë dhe kanë mundësi të jenë pjesë e kësaj miqësoreje. Lojtarët e thirrur, të cilët janë që të gjithë të vitlindjeve 2004-2005, kanë qenë edhe më parë pjesë e ekipeve Kombëtare U-19 dhe U-18. Qëllimi i stafeve teknike është të shohin gjendjen e lojtarëve në kuadër të dy miqësoreve që Kombëtarja U-19 do të zhvillojë në qershor me Malin e Zi.
Skuadra e drejtuar nga Armando Cungu zhvilloi dy miqësore në muajin mars ndaj Kosovës, dy teste mjaft të vlefshme për Kombëtaren U-19 që u krijoi mundësinë elementëve të spikatur të këtij brezi që të tregonin vlerat e tyre dhe aftësitë.
Stafi teknik vazhdon punën për monitorimin e elementëve të talentuar që luajnë brenda dhe jashtë vendit në mënyrë që ekipi Kombëtar i kësaj grup-moshe të ketë në grup futbollistët më të mirë shqiptar. Në muajin shtator kuqezinjtë do të marrin pjesë ne eliminatoret e Kampionatit Europian U-19, një mundësi shumë e mirë për lojtarët e rinj./fshf.org