Kombëtarja shqiptare do të synojë të mos dalë pa pikë në ndeshjen e sotme në orën 20:45 në fushën e Francës, për Euro 2020. Vendasit janë favoritë, por media franceze ka dyshime.
Një udhëtim në prag të gishtave, për shkak të veçantisë së ndeshjes.
Kombëtarja shqiptare edhe duhet të besojë, por edhe duhet të druhet, kur të përballet me Francën sonte në Paris, për eleminatoret e Europianit, pasi e tillë është diferenca mes skuadrave.
Kampionët e botës janë në vendin e tretë në renditjen zyrtare të FIFA-s, për muajin e fundit, ndërsa ekipi ynë përfaqësues, megjithë rritjen e kohëve të fundit, është vetëm i 64-ti, shumë larg rekordit, vendit të 22-të me De Biazin.
Trajneri Edoardo Reja nuk mungoi të tregohej optimist, as në aeroportin e Rinasit, dhe as në konferencën e shtypit para ndeshjes, por gjithsesi, edhe ai vetë e ka të qartë se për suksesin do të duhet edhe shumë fat.
Synimi është për të mos dalë pa pikë, që të mbetemi edhe më shumë me shpresë për kualifikim në Euro 2020.
Fitoret ndaj Andorrës dhe Moldovës kanë kthyer shpresën.
Reja ka përgatitur skuadrën me një skemë bunker, për të mos u lënë asnjë hapësirë kundërshtarëve në fushën e shkëlqyer të stadiumit “Stad dë Frans”.
Pesë lojtarë do të jenë në mbrojtje, me një duel në krahun e majtë mes Binakut e Lenjanit.
Në mesfushë do të jenë tre lojtarë të tjerë, me detyra edhe mbrojtëse, ndaj edhe Reja ishte I dyzuar mes Keidi Bares e Klaus Gjasulës.
Sulmi nuk do të jetë përparësi, por gjithsesi, trajneri e di se nuk mund të bëjë gabimin që të mos e ngacmojë Francën.
Për këtë duhet një lojtar shtatlartë, me Balajn si më të saktin për momentin, por që duhet të mbështetet për të mos mbetur I izoluar.
Uzuni pritet të jetë zgjedhja e parë, por ndoshta edhe Sokol Cikalleshi.
Tek Franca ka gjithashtu shqetësim.
“Kemi mbetur si peshku pa ujë”, – titullon e përditshmja pariziene “L’Ekip”, – humbja ndaj Turqisë na bën që të mos na lejohet asnjë gabim, ndërsa jemi mjaft mungesa”.
“Lë Parizien” analizon 5 fakte që tifozët duhet t’i dinë para ndeshjes, dhe thekson se nën drejtimin e Deshampit, Franca ka pasur gjithnjë probleme me shqiptarët.
Po kjo gazetë raporton një gjetje të bukur të vendasve, ftesën për 37 fëmijë jetimë të oficerëve të xhandarmërisë franceze, të rënë në krye të detyrës, për të ndjekur ndeshjen Francë-Shqipëri në “Stad dë Frans”. /ABC News Albania 24/7