Kombëtarja shqiptare duhet të mbajë kreun në grup, do të bëhej pjesë e vazos së parë në shortin e Euro 2024

schedule15:22 - 14 Tetor, 2023

schedule 15:22 - 14 Tetor, 2023

Kombëtarja shqiptare kaloi edhe testin e fundit, atë ndaj një rivali direkt si Çekia, duke marrë një fitore fantastike me rezultatin 3-0 në shtëpi.

Aktualisht, me vetëm një ndeshje të zhvilluar në muajin tetor, kuqezinjtë kryesojnë grupin me 13 pikë të grumbulluara, ndërkohë Polonia është në kuotën e 9 pikëve, ndërsa Çekia 8, teksa të dyja do të luajnë pas dy ditësh ndeshjet e tyre të radhës, përkatësisht me Moldavinë dhe Ishujt Faroe.

Nëse para fitores me Çekinë shanset për kualifikimin ishin 90% sipas llogaritjeve, ato tani kanë shkuar në 99%, çekëve nga 88% i janë ulur në 55%, ndërsa polakët nga 21% kanë shkuar në 44%.

Sipas projeksionit të “Euro 2024” të bërë nga “WeGlobalFootball”, kuqezinjtë kanë 83.4% shanse që të përfundojnë të parët në renditjen e Grupit E.

Si kokë grupi, kjo do të dërgonte ekipin e Silvinjos në Vazon e dytë të grupit, pasi kriter është renditja e përgjithshme në këto kualifikuese, ku përveç Gjermanisë që është vend organizator dhe futet në Vazon e parë kur të hidhet shorti i fazës finale, në këtë vazo janë edhe: Portugalia, Franca, Anglia, Belgjika dhe Skocia.

Kështu nëse këto ekipe qëndrojnë në Vazon e parë dhe nuk ka ndryshime, një prej tyre do të jetë në grup me Shqipërinë që është shumë afër kualifikimit.

Ndërkohë, në Vazon e dytë ku është aktualisht Kombëtarja, janë ekipe si Hungaria, Zvicra, Turqia, Sllovenia dhe Austria, emra këta që nuk mund të përballemi në grup.

Në Vazon e tretë për momentin janë pozicionuar disa kombëtare të mëdha si Spanja dhe Holanda, por këtu rrezikojmë edhe Serbinë, Kroacinë apo Danimarkën me Rumaninë.

Sakaq, në Vazon e katërt janë Polonia, Italia dhe Sllovakia dhe tri skuadrat që do të dalin nga “play off”-i.

Gjithsesi, kjo është sipas renditjes aktuale, por situata në vazo mund të ndryshojë për disa kombëtare, në bazë edhe të rezultateve që ato do të marrin, por për Shqipërinë shanset më të mëdha janë që të qëndrojë në Vazon e dytë.

Të gjitha kombëtaret e kualifikuara do të njihen me kundërshtarët në datën 2 dhjetor, kur do të hidhet edhe shorti i grupeve të Europianit “Gjermani 2024” që do të ngrejë siparin me ndeshjen e parë më 14 qershor 2024, për t’u mbyllur me finalen e kompeticionit që do të zhvillohet fiks pas një muaji, më 14 korrik./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!