Numërimi mbrapsht ka nisur. Misioni historik i kombëtares së Shqipërisë për të siguruar për herë të parë një biletë për në finalet e një Kupe Bote nis zyrtarisht paraditen e së shtunës.
Trajneri Sylvinho do të publikojë si fillim listën me lojtarët që do të ketë në dispozicion për sfidën e 26 marsit në Varshavë kundër Polonisë për sfidën e parë në play off e “Botërorit 2026” dhe më pas me shpresën për të kaluar në sfidën e dytë në program më 31 mars ndaj fitues së çiftit tjetër, Suedi-Ukrainë.
Po të shtunën në orën 11:00, tekniku kuqezi do të dalë përpara mediave për të shpjeguar zgjedhjet dhe pritshmëritë e tij.
E sigurt është, që vigjilja e play off të “Botërorit 2026” nuk është nga më të mirat për Sylvinho dhe kombëtaren shqiptare, për shkak të dëmtimeve dhe formës jo shumë të mirë që po kalojnë disa prej lojtarëve më të rëndësishëm.
Ky diskutim vlen më shumë për sulmin, ku pas mungesës së Manaj dhe Dakut si dhe rikthimit të vonë në fushë të Brojës pas dëmtimit, trajneri duhet të gjejë zgjidhje në repartin ofensiv.
Pasi të shuajë këto pikëpyetje, sipas axhendës së publikuar më parë nga Federata Shqiptare e Futbollit, kombëtarja e Shqipërisë do të nisë zyrtarisht përgatitjet me seancën e parë ditën e hënë.
Gjithsesi, duke nisur nga e diela, disa prej lojtarëve mund të zbresin më parë në fushën stërvitore.
Gjithçka do të varet nga impenjimi me skuadrat e klubeve në fundjavën e ligave europiane, por edhe me oraret e fluturimeve nga vendet ku luajnë drejt Shqipërisë.
Kombëtarja do të vijojë përgatitjet në “Shtëpinë e futbollit” përpara se të udhëtojë drejt Varshavës për takimin me historinë më 26 mars.


