Kombëtarja, objektivat, Çepele dhe presidentët e Superiores: Rrëfehet Duka

schedule21:39 - 3 Shtator, 2020

schedule 21:39 - 3 Shtator, 2020

Të gjithëve na ka munguar kombëtarja, që nesër zhvillon ndeshjen e parë në Nations League kundër Bjellorusisë në Minsk (20:45). Kreu i futbollit shqiptar, Armand Duka ka analizuar disa tema të ndryshme në prononcimin e dhënë për A2 CNN, aty ku ndalet te objektivat, të rinjtë e thirrur nga trajneri Reja dhe presidentët e Superiores, gjashtë prej të cilëve kanë udhëtuar me ekipin drejt Minskut me ftesën e presidentit të FSHF-së.

OBJEKTIVI – “Fitorja është dëshira e çdokujt para një ndeshje, aq më shumë të një ekipi kombëtar, jo e një drejtuesi federate por edhe çdolloj tifozi që të fitojë ndeshjen. Grupi është me katër skuadra pak a shumë të balancuara, pavarësisht se ne kemi ardhur si kokë grupi në short, por janë skuadra të balancuara dhe me të gjitha mund të bësh çdo lloj rezultati. Pa dyshim që objektivi ynë real, normal që është të jemi të parët e grupit. Uroj ta nisim mbarë nesër me Bjellorusinë dhe të vazhdojmë pastaj me ndeshjet e tjera. Nuk më duket e lehtë të motivosh ekipin pa spektatorë. Uroj të tejkalojmë dhe këtë specifikë dhe të kemi një rezultat pozitiv”.

KOMBËTARJA – “Sa i përket gjendjes së futbollistëve, është normale që në një ndeshje nuk i ke të gjithë në dispozicion, nuk i ke gjithmonë të gjithë në formën maksimale, por do pranosh atë që ke. Në fund të fundit, këtu janë zgjedhur më të mirët dhe diferencat mes tyre janë të vogla. Kam shumë besim te çdonjëri që është grumbulluar”.

 

Kuqezinjtë duke u stërvitur në stadiumin e Minskut

PRURJET E REJA – “Çunat që janë sot në Minsk, janë emra të rinj të cilët japin një lloj shprese për të ardhmen e Shqipërisë. Çekiçi është një emër më i njohur i futbollit shqiptar, ka kaluar ekipet e moshave, ka luajtur pak më shumë dhe është një lojtar me një lloj eksperience. Por, kemi dy emra të tjerë të rinj, të cilët njihen pak për njerëzit. Uroj që të kenë minuta që tani që të përgatisim një ekip akoma më të fortë për të ardhmen, siç është sulmuesi Broja i Chelsea, i cili që është huazuar në Holandë apo qendërmbrojtësi Çepele që publiku shqiptar pak e njeh. Është shumë i vogël, rreth 17 vjeç dhe është për herë të parë në kombëtare. Ka një lloj ndërthurje, ka lojtarë me eksperiencë, por jo me moshë të madhe, gjë që na bën optimist për të ardhmen dhe për këtë edicion për të arritur objektivin kryesor që Shqipëria në 2024 duhet të jetë në Europian”.

ÇEPELE – “Ai është aktivizuar me të rinjtë e Italisë, por faktikisht nuk ka qenë ndonjëherë i dyzuar. Ne kemi qenë në kontakt me prindërit e tij dhe pa asnjë lloj dyshimi ka thënë që unë do të luaj me kombëtaren e Shqipërisë, pavarësisht eksperiencës me moshat në Itali. Nuk është se Italia e skarcoi sepse nuk ishte i nevojshëm për ta, por vetë planet e tij kanë qenë të tilla, që të bënte një eksperiencë me U-17 e Italisë dhe menjëherë ka pranuar që t’i bashkohet ekipit shqiptar. Nuk ka pasur asnjë lloj dyshimi as ai, as i ati. E thashë, unë kam biseduar me të që para se ai të aktivizohej me Italinë”.

I kënaqur me 4 pikë? Të katërta skuadrat janë të barabarta për mua, nuk është se ne bëjmë ndonjë diferencë të madhe, aq më shumë që ekipeve kombëtare sot i ofrojmë kujdesin maksimal. Kështu që në dy ndeshje, unë dua 6 pikë dhe ne i meritojmë 6 pikë! Por në dy ndeshje ne mund të dalim edhe me 0 pikë, kështu që le të marrim atë që do meritojmë në fushë”.

 

Duka dhe presidentët e Superiores

FTESA PËR PRESIDENTËT – “Faktikisht unë i kam ftuar të gjithë presidentët e Kategorisë Superiore, domethënë jo rastësisht, sepse ne kemi kaluar një vit të vështirë, si Shqipëri dhe si futboll, dhe bashkë më presidentët i kemi kaluar, le të themi së bashku, në mënyrë solide këto vështirësi. Ky ishte destinacioni ynë i parë, lëvizja jonë e parë nga Shqipëria. Ia kam propozuar dhe e kanë pranuar me kënaqësi që ta shoqërojnë ekipin, aq më shumë që nuk do kemi tifozë por drejtuesit e futbollit shqiptar. Sot, ka qenë një ditë vizite në kryeqytetin e Minskut, kemi vizituar gjithçka, kemi vizituar historinë, kemi vizituar apo kemi parë nga afër dhe protestat e Minskut, dhe patjetër që kanë diskutuar edhe për futboll, për problemet e tyre dhe të ardhmen e Kategorisë Superiore”.

IMPENJIMI – “Në fakt, nuk ka ndonjë gjë ndryshe në lidhje me impenjimin e ekipit tonë kombëtar, dihet që i gjithë ekipi ynë kombëtar ka impenjim maksimal para ndeshjeve, sidomos para ndeshjeve zyrtare siç është kjo e nesërmja për Nations League. Po i shikoj akoma më me kureshtje, sepse në njëfarë mënyre na ka marrë malli, u bë një vit që nuk jemi me ekipin, ku gati-gati u bëmë pesimistë në atë periudhë pandemia. Tani u rikthyem në një jetë ndryshe, më normale, me futboll, me ekipin, me një jetë sportive dhe kjo më bën që të isha më shumë i përqendruar”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!