Kombëtarja luan sfidën e rëndësishme në Izrael sot në 20:45

schedule15:41 - 14 Tetor, 2018

schedule 15:41 - 14 Tetor, 2018

Kombëtarja luan sot në Izrael, një ndeshje tepër të rëndësishme për Ligën e Kombeve. Trajneri Panuçi e kapiteni Mavraj kanë besim, ndërsa skuadra është e plotë.

Kualifikimi nuk sigurohet sot, por sërish jemi në moment vendimtar.

Kombëtarja shqiptare luan në fushën e Izraelit, në 20:45, sfidën e tretë në Ligën e Kombeve, dhe një rezultat pozitiv do të ndihmonte shumë për arritjen e objektivit, kalimit për në gjysmëfinale.

Kuqezinjtë pritet të mos kenë probleme për formacionin kur të dalin në fushën e stadiumit në Haifa, ndërsa ekziston shpresa se mund të përfitohet nga lodhja e Izraelit që luajti të enjten ndaj Skocisë.

“Jam optimist jo sepse kundërshtari mund të jetë i lodhur, por sepse pashë skuadrën sesi punoi në stërvitje. Djemtë punuan me shumë profesionalizëm, ndoshta ka qenë java më e bukur që kur kam ardhur në Shqipëri. Nuk di nëse Izraeli është i lodhur. Luajti 3 ditë më parë, por varet gjithçka nga ne. E kam vendosur formacionin dhe skemën me të cilën do të luajmë, por do ta shihni në fushë se kush do të jetë njëmbëdhjetëshja”.

Trajneri ynë ka një mendim të lartë për kundërshtarin.

“Izraeli bëri një ndeshje të jashtëzakonshme ndaj Skocisë. Ishte një skuadër krejtësisht e ndryshme nga ajo që luajti ndaj nesh. I vënë presion Skocisë duke mos e lënë të dilte në sulm. Izraeli është një skuadër me cilësi të madhe, me lojtarë shumë të zotë. Për ne, do të jetë një ndeshje e vështirë”.

Nuk mund të mos bëhej krahasimi me fitoren 3-0 të arritur në Izrael nga skuadra e De Biazit.

“Çdo ndeshje ka historinë e saj. Do të doja të ishte e njëjta histori si një vit e gjysmë më parë. Shpresojmë të luajmë një ndeshje të madhe dhe të fitojmë edhe këtë herë”.

Mavraj ndihet mirë për të luajtur, ndërsa ka këtë gjykim.

Besoj se mund të fitojmë, nuk ka rëndësi skema në mbrojtje, por loja në grup

Lajmet nga kombëtarja janë që Eros Grezda është I rikuperuar dhe pritet të jetë në formacion.

Për fat të keq, Balliu nuk do të jetë për shkak dëmtimi, ndërsa pritej të zëvendësonte Veselin e dëmtuar.

Shqipëria ka 3 pikë në grup, po aq sa Izraeli dhe Skocia.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!