Kombëtarja e Shpresave jep sinjale pozitive

schedule22:09 - 12 Qershor, 2019

schedule 22:09 - 12 Qershor, 2019

Kombëtarja e shpresave dha sinjale pozitive në sfidën ndaj Turqisë dhe dy takimet përballë Uellsit. Armand Broja është futbollisti që ka spikatur në skuadrën e drejtuar nga trajneri Alban Bushi.

Përpos ekipit kombëtar që në një mënyrë apo tjetër është rikthyer te një fizionomi e tij, dhe te një kthesë drejt identitetit të humbur, natyrisht edhe skuadra kombëtare U-21 po jep sinjale që po ndërton një brez të mirë.

Nuk e ka vëmendjen mediatike si kombëtarja A, por meriton një hapësirë edhe më shumë. Po ndërtohet një skuadër që me pak kujdes mund të prodhojë jo pak. Barazimi në Turqëi, dhe fitoret e miqësoreve me Uellsin janë indicie të plota që ky grup ka realisht një bosht dhe mund të avancojë shumë.

Bushi nuk lëviz nga istikami i tij për të bërë diçka ndryshe dhe me rezultat në këtë skuadër. Pas rezultateve edhe elementët, ku një prej tyre është Broja që gjithsesi është aty, pjesë e fanellës kuqezi.

Armand Broja luan me skuadrën U19 të Chelseat, ndërsa edhe në Shqipëri erdhi me Kombëtaren e kësaj grupmoshe, ku shënoi edhe 3 gola përballë Kosovës, duke bindur Bushin për një ftesë te U21.

“Kemi grup të mirë për të ardhmen. Ky ekip e justifikoi veten me çfarë bëri në këto tri ndeshje që luajtëm gjatë këtyre ditëve”, deklaroi Alban Bushi pas fitores 3-1 në miqësore.

Dhe rezultatet e tregojnë, teksa tashmë ky grup duhet mbajtur e ruajtur, vëzhguar e rakorduar. Janë një brez që japin garanci për një skuadër që do furnizojë shumë lart./ABC News Albania 24/7