Kombëtarja shqiptare e futsallit ka triumfuar edhe në miqësoren e dytë ndaj Malit të Zi me të njëjtin rezultat 3-2. Ndeshja e luajtur në sallën “Feti Borova” ishte e bukur dhe me emocione deri në fundin e takimit. Golat për kuqezinjtë i realizuan Halim Selmanaj, Arif Limani dhe Drilon Haxhijaj.
Edhe ndeshjen e dytë miqësore ndaj Malit të Zi, trajneri Erind Resuli e nisi me të njëjtin formacion titullar, duke aktivizuar nga minuta e parë: Cristiano Cardosa, Halim Selmanaj, Roald Halimi, Darrier Soares De Melo dhe Arbër Shkodra.
Shqipëria e nis mirë sfidën dhe dominon lojën duke realizuar tre herë në portë kundërshtare. Pas disa minutave të mira, Halim Selmanaj zhbllokoi rezultatin duke realizuar golin e parë të takimit. Në minutat në vijim kuqezinjtë dominuan sërish takimin, ndërsa tekniku Erind Resuli kreu disa zëvendësime duke aktivizuar Arif Limanin dhe Drilon Haxhiajn.
Të dy lojtarët ishin vendimtar. Limani realizoi golin e dytë, ndërsa Haxhiaj shënoi golin e tretë dhe të qetësisë për Shqipërinë.
Pavarësisht pësimit të tre golave, Mali i Zi reagoi mjaftë mirë. Fillimisht shkurtuan diferencën me Danilo Babovic, ndërsa në vijim Nikola Vidakovic realizoi të dytin për skuadrën e tij. Edhe pse Kombëtarja shqiptare e futsallit pësoi dy gola dhe u vendos në vështirësi, kuqezinjtë e Erind Resulit administruan deri në fund fitoren e dytë radhazi ndaj Malit të Zi.
Ky vit është shumë pozitiv për Kombëtaren shqiptare të futsallit, pasi deri më tani numërojnë katër fitore, dy barazime dhe asnjë humbje në sfidat miqësore të zhvilluara ndaj Malit të Zi dhe Zvicrës.
Sfidat miqësore janë shumë të rëndësishme për stafin teknik pasi shërbejnë për kolaudimin e grupit për kompeticionet e ardhshme zyrtare. /FSHF