Kombëtarja e femrave, Grima: Test i vlefshëm, duhen më shumë grumbullime të tilla

schedule12:14 - 4 Mars, 2021

schedule 12:14 - 4 Mars, 2021

Kombëtarja shqiptare e femrave ka zhvilluar javën e kaluar një grumbullim 7-ditor në Ulqin të Malit të Zi. Trajneri i përfaqësueses kuqezi, Armir Grima kishte në dispozicion 23 futbolliste, të cilët aktivizohen në kampionatin shqiptar, ndërsa dy prej tyre luajnë në Kosovë dhe Slloveni.

Në një prononcim për Fshf.org, trajneri Grima ka vlerësuar organizimin e këtij grumbullimi dhe nivelin e shfaqur nga vajzat kuqezi gjatë shtatë ditëve në Ulqin. Gjithashtu, shkodrani është i kënaqur për faktin se kështu ai po mban në vëzhgim të gjitha futbollistet, të cilat janë në xhiron e Kombëtares dhe që luajnë në kampionatin shqiptar.

Së pari, dua të falënderoj Federatën Shqiptare të Futbollit për kushtet që na krijoi dhe organizimin e këtij grumbullimi. Ishte një grumbullim që kishte shumë vlera për Kombëtaren e femrave, pasi për një javë ne mundëm të testojmë dhe të shohim nga afër të gjitha futbollistet e thirrura.

Madje, mund të them që ne duhet të shohim mundësitë që të organizojmë më shpesh grumbullime të tilla, sepse e ndihmojnë shumë Kombëtaren e femrave. Sigurisht, duke bërë analizat e rastit mendoj se vajzat kanë nevojë për shumë përgatitje me klubet e tyre, për më shumë stërvitje që të jenë në maksimumin e tyre.

Besoj se ia kemi arritur qëllimit gjatë asaj jave që zhvilluam stërvitje rregullisht, pasi tashmë kam një ide edhe më të qartë për gjendjen e skuadrës, por edhe për çdo futbolliste në veçanti“, deklaroi trajneri i kombëtares kuqezi. /abcnews.al