Kombëtarja e Brazilit ka siguruar kualifikimin në gjysmëfinalen e Kupës së Amerikës. Selecao fituan ndaj Paraguajit falë serisë së 11 metërshave.
Brazili kalon në gjysmëfinale të Kupës së Amerikes falë ruletës së 11 metërshave. Të besuarit e trajnerit Tite nuk shkuan më shumë se barazim pa gola ndaj Paraguajit në një përballje që rezultoi më e vështirë nga çfarë u mendua. Selecao zhvilluan një loje mjaft të bukur dhe me raste të shumta shënimi,. por nuk arritën të konkretizonin në gol. Nga ana tjetër Paraguaji u mbrojt mjaft mirë duke i bërë ballë sulmeve të njëpasnjëshme të pesë herë kampionëve të botës. Brazili nuk përfitoi nga superioriteti numerik përballë Paraguajit që luajti për 30 minuta me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të mbrojtësit Balbuena. Trajneri Tite inkuadroi në pjesën e dytë Alex Sandron Uilliam dhe Pakueta, lëvizje e cila nuk ndikoi aspak në rezultat. Koha e rregullt përfundoi në barazim pa gola dhe skuadrat u drejtuan serisë së 11 metërshave. Brazili u tregua më i saktë duke fituar me rezultatin 4-3. Firminjo për vendasit dhe Gustavo së bashku me Gonzales për Paraguajin gabuan në ekzekutimin e penalltive. Brazili hedh një hap të madh në Kupën e Amerikës dhe pret qetësisht fituesin e çiftit Argjentinë-Venezuelë. /ABC News Albania 24/7