Kombëtarja nuk arriti dot më shumë se barazimin, në miqësoren ndaj Jordanisë në “Elbasan Arena”. Gjithsesi, loja e ekipit përfaqësues dha shpresë për rezultat pozitiv në Izrael.
Rezultati nuk kënaqi, veçse loja po.
Kjo ishte pikërisht gjëja më e rëndësishme e sfidës së kombëtares shqiptare ndaj Jordanisë në “Elbasan Arena”, miqësorja e zgjedhur para duelit në Izrael për Ligën e Kombeve.
Trajneri Panuçi habiti që në fillim duke hedhur në fushë një formacion me mjaft ndryshime nga ai që ishte dhënë në media.
Në portë ishte Berisha, ndërsa luajtën Mihaj dhe Manaj.
Po ashtu, kapiten ishte Mavraj, ndërsa u mendua për Lilën.
Edhe pse interesimi ishte tepër I ulët dhe në “Elbasan Arena” ishin vetëm rreth 1 000 tifozë, sërish kombëtarja bëri një ndeshje të mirë, duke marrë parasysh edhe ndryshimet dhe mungesat.
Pa lojtarë të tillë si Sadiku apo Roshi, dhe me Memushajn që nuk u preferua këtë herë, ekipi përfaqësues vështirë se mund të bënte më shumë.
Jordania pati vetëm një rast, që në minutat e para, ndërsa më pas, iniciativa ishte plotësisht e kuqezinjve që krijuan disa mundësi dhe mund të kishin shënuar të paktën dy gola.
Rastet ishin të njëpasnjëshën, me Grezdën, Lilën, dy herë me Manajn, Balajn, Veselin apo Uzunin
Po ashtu, Grezda pretendoi për penallti, por që nuk u akordua nga gjyqtari.
Prova e përgjithshme përpara Izraelit mund të quhet pozitive, dhe kombëtarja besohet se shkon për rezultat në ndeshjen e radhës në Ligën e Kombeve.
Panuçi pati parasysh pikërisht sfidën e së dielës, duke kursyer Memushajn, e duke lënë në fushë nga 45 minuta shumicën e lojtarëve kryesorë. /abcnews.al