Për fat të keq u kthye në shëmti.
Një ndeshje e nivelit kaq të lartë si gjysmëfinalja e Kupës së Amerikës, pati sherre mes lojtarëve dhe, madje, edhe grushta mes futbollistëve e tifozëve, teksa konflikti u transferua nga fusha në tribuna.
Sulmuesi i Uruguajit, Darwin Nunez, kaloi gardhin dhe u ngjit tek shkallët, aty ku familjarët e tij po rrezikoheshin nga tifozët kolumbianë, me “yllin” e Liverpool, që shkëmbeu grushte me ultrasit, ndërsa përfaqësues të të dyja skuadrave akuzuan organizatorët për mosmarrjen e masave të duhura.
Ndeshja ishte fortë, edhe pa sherrin.
Përballë ishin Kolumbia dhe Uruguaji, në “Bank of America Stadium”, të Sharlotës, në SHBA, dhe përfundimi ishte një lloj surprize, me “Los Cafeteros”, që mundun “Të Kaltërit” e uruguajanë, të cilësuar jo më kot favorit, pasi një raund më parë kishin eliminuar Brazilin, pesë herë kampion të botës.
Autor i golit të vetëm ishte Jeferson Lerma në minutën e 39’-të, falë një krosimi të James Rodriguez, i cili gjeti asistin e tij të 6-të, në këtë Copa America, duke “parakaluar” një “ylli” si Lionel Messi e duke mbajtur i vetëm rekordin, mirëpo jo gjithçka shkoi “vaj” për kolumbianët, të cilët u detyruan të luanin gjithë pjesën e dytë me 10 lojtarë.
Daniel Munoz mori karton të kuq në minutën e parë shtesë para pushimit dhe në pjesën e dytë mund të thuhet se ndryshuan shumë gjëra.
Dy ekipet u përpoqën shumë, por Kolumbia bëri diçka më tepër, ndonëse Uruguaji mbajtën topin 62% edhe sepse ishte me një lojtar më shumë në fushë, megjithatë në fund “Los Cafeteros” arritën një tjetër finale të Kupës së Amerikës dhe tashmë do të luftojnë për titullin përballë Argjentinës, kampione në fuqi, orët e para të mëngjesit të së hënës, sipas orës shqiptare. /i.m /abcnews.al