Kolegji universitar “Bedër”, aktivitet për lirinë e besimit dhe demokracinë

schedule18:31 - 15 Shtator, 2021

schedule 18:31 - 15 Shtator, 2021

Nisi këtë të mërkurë në Kolegjin Universitar Bedër aktiviteti 3-ditor i Institutit për Lirinë e Besimit dhe Demokracinë. Programi mbështetet nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën Amerikane në Tiranë mbledh bashkë studentë nga trevat shqiptare, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Fjalën hyrëse e mbajti rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana.

E ftuara speciale nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pedagoge për lirinë e besimit dhe demokracinë në Kings Collage, Beth Admiral bëri një prezantim të detajuar për situatën e besimit fetar në Amerikë.

Në prezantimin e saj u përfshinë shembuj nga organizimi fetar dhe modeli amerikan në SHBA, duke cituar studimet se 48% e të rriturve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndryshuar besimin e tyre fetar. Më pas aktiviteti ka vazhduar me një tryezë të rrumbullakët ku kanë diskutuar akademikë dhe përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare në vendin tonë.

Programi i Institutit për Lirinë e Besimit dhe Demokracinë përbëhet nga leksione, diskutime, prezantime studentore, leksione nga ekspertë të huaj dhe vizita në komunitetet fetare dhe objektet e kultit.

Projekti është i frymëzuar nga Studimi i Institutit Amerikan mbi Pluralizmin Fetar në Shtetet e Bashkuara. Qëllimi i programit është të sigurojë bazat e nevojshme historike dhe teorike mbi studimin e lirisë fetare dhe të demokracisë, të diskutojë specifikat e situatës në Shqipëri dhe të angazhojë studentët në eksplorimin e mënyrave për të rritur harmoninë fetare në Shqipëri.

Programi do të përfshijë tema që lidhen me bazat religjioze dhe filozofike të dialogut ndërfetar dhe lirisë së besimit, origjinën historike të tyre, zgjidhjet juridike dhe politike përballë konflikteve midis lirisë së besimit dhe të drejtave të tjera njerëzore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, duke i trajtuar me shembuj konkret nga vende të ndryshme të botës./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!