Kolarov: Zgjedhje e lehtë të vija tek Interi, i shënoj Milanit në derbi

schedule15:38 - 10 Shtator, 2020

schedule 15:38 - 10 Shtator, 2020

Drejtuesit e Interit vepruan shpejt, arritën akordin me Romën dhe veshën zikaltër Aleksandar Kolarov. 34-vjeçari serbi i linjës së majtë, i cili ishte një kërkesë e trajnerit Antonio Conte, ka firmosur një kontratë për një vit, me opsionin e rinovimit deri në verën e vitit 2022.

Kolarov ka thënë fjalët e para si interist në prononcimin e dhënë për Inter TV, aty ku flet rreth momentit kur mori ofertën zikaltër, trajnerit Conte, rolit, idhullit dhe e mbyll me një batutë në lidhje me derbin ndaj kuqezinjve të Milanit.

Ishte një zgjedhje e lehtë për mua, nuk u mendova dy herë kur më erdhi telefonata e Interit. E pranova menjëherë ofertën. Sigurisht që Conte influencoi në vendimin tim. Ai ia ka dalë t’i ndryshojë totalisht fytyrën ekipit. Shpresoj të bëjmë gjëra të mira së bashku, do të përpiqemi të fitojmë trofe.

Roli im? Ndihem mirë në rolin e mbrojtësit anësor me tre. Idhulli im ka qenë gjithmonë Sinisa Mihajlovic, ndoshta fati do ndikojë që, njësoj si ai, edhe unë të mbyll karrierën tek Interi.

Derbi ndaj Milanit? Kam luajtur shumë derbe në karrierë. Është një duel shumë i rëndësishëm, kam shënuar plot gola në derbi, pres të bëj të njëjtën gjë edhe përballë Milanit“, deklaron Kolarov. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!