TIRANË– Në “ABC e Mëngjesit”, doktori Luciano Bardhi ndau me publikun një sërë këshillash thelbësore për ata që kujdesen për shëndetin, lëkurën dhe jetëgjatësinë, duke u fokusuar në kolagjenin dhe rolin jetik të zorrëve në të gjithë këtë proces.
Sipas Bardhit, kolagjeni nuk mjafton ta marrësh, por ai duhet të përthithet sa më mirë nga zorrët për të dhënë rezultatet e kërkuara dhe pritura prej tij!
Dr. Bardhi theksoi se shumë njerëz shpenzojnë për suplemente kolagjeni, por harrojnë një detaj thelbësor:
“Suplemente kolagjeni nuk vlejnë, nëse stomaku ka pak acid klorhidrik.” Acidi klorhidrik, sipas Bardhit, është thelbësor për të shpërbërë proteinat dhe për të aktivizuar enzimat që ndihmojnë në përthithjen e aminoacideve, përbërësit bazë të kolagjenit.
Dr. Bardhi dha disa ushqime natyrale që ndihmojnë trupin të prodhojë kolagjen pa pasur nevojë për suplemente të shtrenjta: si Lëngu i kockave që përmban glicinë dhe prolin. Peshku i vogël, i pasur me aminoacide të rëndësishme. Supa me ligamente të mishit të pulës, burim natyral kolagjeni. Algat dhe ushqimet e detit, të pasura me baker. Farat e kungullit, vaji i linit, mishi i kuq si burime të mira zinku.
Një nga pikat më të thella të diskutimit ishte roli i zorrëve në mirëqenie mendore dhe procesin e plakjes. Dr. Bardhi shpjegoi se zorra është më shumë se një organ tretës, ajo është një qendër hormonale që prodhon substanca jetike si: Serotonina, ose “hormoni i lumturisë”, melatonina që rregullon gjumin dhe ritmin cirkadian, NAD⁺ / NADP⁺ – molekula kyçe për prodhimin e energjisë qelizore
“Këto molekula varen direkt nga aminoacidi triptofan, i cili merret nga ushqimi dhe përthithet vetëm nëse zorra dhe stomaku funksionojnë në mënyrë optimale” – tha Bardhi në studion e Abc së Mëngjesit
Çrregullimet në zorrë çojnë jo vetëm në tretje të dobët, por edhe në plakje të parakohshme dhe probleme emocionale./abcnews.al

