Kolapsi në Komitetin Olimpik Kombëtar nuk ka fund. Pas një Asambleje të Jashtëzakonshme në shkurt të këtij vitit, ku nuk mungoi edhe tensioni,u vendos që të zhvillohej një tjetër deri në fund të vitit. Bëhej fjalë për Asamblenë e Jashtëzakonshme ku do të miratohej Statuti i ri.
Problemet statusore në KOKSH janë të mëdha dhe pa ndryshimet e duhura nuk mund të organizohen zgjedhje. Me këtë pajtohen shumica e federatave anëtare të KOKSH, madje edhe e kanë votuar. Gjithsesi së fundmi ka pasur probleme të tjera.
Brenda KOKSH ka pasur një njoftim për zhvillimin e dy asambleve, njëra për ndryshimet statusore dhe tjetra për të bërë zgjedhjet e reja, konkretisht më 13 dhe 23 dhjetor. Njoftimin e ka bërë Komiteti Ekzekutiv i KOKSH dhe jo presidenti, çka sjell edhe pretendimet se Asambletë e Jashtëzakonshme janë të jashtëligjshme.
FSHF para pak kohësh e ka shprehur diçka të tillë edhe përmes një shkrese drejtuar KOKSH-it, duke vënë në dijeni edhe Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Veç faktit pretendohet se gjithçka është e jashtëligjshme, asambletë me gjasa do të dështojnë edhe për shkak të kufizimeve të vendosura nga autoritetet shtetërore prej pandemisë.
Në këtë mënyrë kolapsi në këtë organizatë pritet të vazhdojë, ashtu sikurse akuzat mes presidenti Viron Bezhani dhe Sekretarit të Përgjithshëm, Stavri Bello. Të parit në fakt i takon ta thërrasë gjatë këtij muaji Asamblenë e Jashtëzakonshme dhe deri më tani nuk e ka bërë, me pretekstin që nuk lejohen grumbullimet. /abcnews.al