Nga Gerti Çarçani
Një vendim gjykate i mbledh rripat një komiteti që nuk e qethi asnjëherë për presidentin, teksa ky i fundit, sorollatet sa te drejtësia, sa te Prokuroria e sa tek avokatia. Nesër nuk ka Asamble! E tepërt kurajo në kohë kur SPAK është në terren, që të injorosh një vendim gjykate. Kryesisht nga KOKSH, që është prej kohësh në Prokurori.
Shteti dhe drejtësia i dhanë të drejtë presidentit pa fuqi dhe FSHF! Nesër, si e diel e 13 dhjetorit, ishte planifikuar të zhvillohej asambleja e parë statuore e KOKSH, të shpartalluar si kualitet, peshë dhe institucion prej kohësh. Por, edhe këtë radhë, presidenti nuk vendosi sipas statutit, të thërrasë këtë asamble, çka e gëzon si kompetencë absolute, dhe komiteti thërret vetë, jo me 2/3, dy asamble.
Një nesër, dhe një tjetër, pas 10 ditëve. Kjo e fundit zgjedhore, për të vënë në vendet e duhura edhe kandidatët fitues të paracaktuar. Por, kjo ndodhi përpara se Stavri Bello të merrte vendimin e Gjykatës, aty ku skema u prish. Cila skemë? T’ia fusim Fidelit dhe po bëhem vetë president. Kjo e pasqyruar edhe në statut.
Por, Gjyqtarja Mariana Shegani Dedi vendosi para pak ditësh, e pikërisht në datë 9, edhe pezullimin e të dy asambleve, duke i dhënë të drejtë ankimimit të FSHF-së dhe vetë Bezhanit. Brenda 15 ditësh duhet ankimimi dhe në Apel, shkon si çështje pas sallatës rusë të festive, edhe pse vetë ata si institucion s’kanë lënë baltë pa gëlltitur e pa kafshuar në media e në bulevard njeri-tjetrin.
Të gjendur tërësisht të papërgatitur nga një situatë e tillë, një anëtar komiteti ka kërkuar me postë me e-mail mendim nëse duhet bërë asambleja, edhe kur absurdi i madh i pyetjes është që ka folur drejtësia. Dhe këtu duhet të heshtin, që nga Stavri të cilit iu rrëzua skema për t’u shpallur president vetë, e deri te të gjithë ata që kanë bërë pis këtë ambient olimpik.
Nxitimi është i thjeshtë: Të dielën ata do të bënin disa ndryshime që do t’i garantonin fitoren e shpejtë në tavolinë: Ndryshimet në statut do të linin jashtë gare Fidel Yllin, por dhe do të rregullonin numrat që nuk i kanë ende. Gjithashtu do të mbajnë titujt individuale me të cilët do të garantojnë zgjedhjet e atyre që kanë caktuar dhe që duan.
Dhe së dyti, është futur për miratim edhe ndryshimi për nenin nëse një person të mos ketë përfshirje në politikë në 5 vitet e fundit. Dhe kjo rëndon direkt te Fidel Ylli, i vetmi kandidat që vjen nga politika.
Po kështu edhe kalkulimi i votave thërret për votim, duke injoruar vendimin e gjykatës edhe faktin që shoqatat që drejtojnë një sport olimpik duhet të kenë 1 apo 2 mandate. Këtu shikohet një përpjekje për të dalë mbi vendimet e gjykatave, duke injoruar sistemin e drejtësisë, në linjë frontale dhe me arrogancë të plotë. Nuk e qeth fare për gjykatat! Ky është interpretimi që bëjnë zyrtarët e KOKSH. Po ministrja e cila është vënë në dijeni a do ta respektojë vendimin e Gjykatës? /abcnews.al