Kokëdhima: Laçi klub model, ju tregoj si funksionon Apolonia ime

schedule23:42 - 6 Korrik, 2020

schedule 23:42 - 6 Korrik, 2020

Presidenti i Apolonisë, Koço Kokëdhima, është i ftuar në Pressing, në ABC News. Numri një i klubit fierak, u shpreh: “Padyshim që jam i kënaqur me ngjitjen në Superiore. Unë kam bërë shumë eksperimente këto 20 vite që jam marrë me këtë punë. Kam studiuar dhe shumë presidentë të tjerë. Shumë kanë ikur nga bota e futbollit, të tjerë e kanë kthyer në një ferrë për vete dhe familjet e tyre.

Për mua, futbolli dhe Apolonia, është diçka e lumtur. Nuk dua të jetë as ferri im, as burgu im, as vuajtja ime. Dhe gjithmonë kam menduar si t’ia bëj. Pas shumë gabimeve që kemi bërë, me vendosmëri kam ndjekur rrugën se si mund të dalim në një realitet ku futbolli nuk është katastrofë, por një vepër e bukur.

Kam debatuar shpeshherë me një gazetar në Fier, më thoshte që nuk mund të arrinim në Superiore me një grup lojtarësh me moshë mesatare 19.5 vjeç. Futbolli ka dy shtylla: Fair-Play sportiv dhe Fair-Play financiar. Janë shumë pak klube që nuk janë në borxhe në Shqipëri. Nuk kam të drejtë të them kush është ose kush jo, por në vlerësimin tim, çmoj dy klube: Laçin dhe Apoloninë. Këto dy klube kanë balanca të shkëlqyera. Klubet e tjera kanë probleme të shumta dhe nuk habitem nëse një ekip kampion, bie nga Kategoria.

Lufta ime me Apoloninë ka pasur dy aspekte shumë të rëndësishme: Të mos shpenzoj para që nuk i ka, dhe së dyti, autonomia e teknikëve të jetë e plotë, që marrin vendime pa i ndërhyrë presidenti. S’mund të jetë ekip futbolli kur një president ndërhyn në vendimet e trajnerit. Ama, kur një lojtar tenton të prishë kulturën e Apolonisë, unë nuk e lejoj të grumbullohet në ekip.

Shkoni në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Apolonia në 2019-ën, bilanci jonë është -1.5 milion lekë të reja. Ka brenda dhe amortizimin e fushave. Ne nuk luftojmë për të bërë thjesht pikë, por jemi institucion që bën shëndet për popullin, pasi kemi 350-400 lojtarë. Jo të gjithë mund të bëhen futbollistë, por bëjnë edukim. Ne e edukojmë një lojtar, e mbajnë 20 orë në javë dhe e edukojmë. Organizata jonë është ekonomike.

Shumë ekipe prishin lekë që nuk i kanë. Prishin taksat e bashkive, dhe nuk i prishin për investime, por papërgjegjshmëri. Nuk paguajnë trajnerë moshash, por paguajnë lojtarë për një vit, për të mos bërë asgjë. Ne, Apolonia, bëjmë futboll. Burimi i të ardhurave tona, është një: Vlera e kartonit për lojtarët që transferojmë. Spektakli nuk ka para në Shqipëri. Nëse rrit lojtarë të rinj dhe i transferon në tregje të pastra, ashtu mund të bëhesh.

Unë nuk e kam për kritikë, por Lushnjën e kemi komshi. Lushnja e ka 520 milion lekë në vit nga buxheti vjetor. Si ka mundësi që ky ekip, ky qytet, që e do kaq shumë futbollin, si ka mundësi që nuk ka një fushë stërvitore? Vetëm ai Gazheli, që unë do e doja tek Apolonia, ka 80 fëmijë që i stërvit. I kam bërë ofertë të vijë tek Apolonia, por ai është besnik i Lushnjës dhe unë e respektoj atë. Në 10 vite, Lushnja mund të kishte shpenzuar 200 milion, por do të kishte një super-fushë sot.

Bashkia e Fierit nuk paguan si e Lushnjës, e Korçës, e të gjitha me radhë. Bashkia e Fierit është aksionar, siç jam dhe unë. Nuk paguan rroga, jep një kontribut që në këto 5 vite të fundit, kontributi i Bashkisë së Fierit është 5-10 milion lekë të reja, që shkon në infrastrukturë. Rrogat i paguajmë ne vetë. 10 milion ka qenë kontributi i aksionarëve të klubit këtë sezon.

Apolonia ka marrë 10 milion lekë nga aksionarët dhe vetë ka bërë diku te 30 milion lekë të reja nga të ardhurat e veta. Ne kemi shpenzuar më pak se 40 milion lekë të reja për të gjithë trajnerët”, u shpreh Kokëdhima!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!