Për efektivin e forcave RENA, Real Luli të arrestuar dy ditë më parë si pjesë e një grupi trafik droge, prokuroria e Tiranës i ka kërkuar gjykatës që të caktohet masa e arrestit me burg.
Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se 27-vjeçari ishte personi që drejtonte grupin për shitjen e lëndëve narkotike, kryesisht në zonën e ish-parkut të autobusëve, atë të Kombinatit dhe Yzberishtit.
Gjatë operacionit që u zhvillua nga shërbimi për çështjet e Brendshme dhe Ankesave, u arrestuan edhe Jurgen Luli dhe Gevi Spahiu që dyshohet se përdoreshin nga efektivi për shpërndarjen e lëndëve narkotike. Ata pritet të dalin në orën 09:30 të së martës në gjykatë ku do të njihen me masën e sigurisë.
Burime nga prokuroria bënë te ditur se ka dyshime që ky grup është ndihmuar edhe nga efektivë të tjerë të policisë dhe për këtë po vazhdojnë ende hetimet për të parë rolin e tyre./ Abcnews.al