Koha e së vërtetës, dhe kaosi i rendit të ri botëror

schedule11:28 - 2 Shkurt, 2023

schedule 11:28 - 2 Shkurt, 2023

Demokracia duket se kudo është e rrezikuar dhe ata që e sulmojnë  variojnë nga populistët e zemëruar lokalë, tek autokratët që argumentojnë se pushteti i pakufizuar shtetëror prodhon më shumë përfitime për qytetarët e zakonshëm, dhe se demokracitë janë shumë të zhurmshme dhe të përçara për të bërë shumë mirë.

Madje edhe brenda Bashkimit Europian, sfidat reale ndaj demokracisë dhe shtetit të së drejtës po vijnë nga Polonia dhe Hungaria.

Kjo e fundit cilësohet tashmë nga Parlamenti Europian si një “demokraci e paplotë” dhe “një autokraci elektorale”. Fitorja e demokracisë liberale, të cilën Fresis Fukujama e kremtoi me të drejtë pas rënies së Bashkimit Sovjetik, mund të tingëllojë sot boshe.

Ose është së paku nën kërcënimin e madh nga autokracitë, që variojnë nga Rusia në Kinë në Turqi, Brazil por edhe vendet e Gjirit të pasura me naftë.

Sipas të dhënave nga “V-Dem Institute”, që monitoron demokracinë dhe variantet e saj, në fundin e viteve 1990 kishte 72 vende që po demokratizoheshin dhe vetëm 3 po rrëshqisnin drejt një autoritarizmi më të madh, raporton abcnews.al.

Vitin e kaluar, vetëm 15 vende po bëheshin më demokratike, ndërsa 33 po lëviznin në drejtimin e kundërt. Sipas “V-Dem”, demokracitë liberale janë në nivelin më të ulët në 25 vitet e fundit: Sot vetëm 13 për qind e popullsisë së botës jeton në vende që mund të përkufizohen si të tilla.

Autokracitë absolute qeverisin mbi 26% të popullsisë së botës, ndërsa “autokracitë elektorale” mbi 44 për qind të popullatës. Për këtë arsye “periudha unipolare” amerikane ka mbaruar prej kohësh.

Dhe kaosi global në zhvillim do të jetë “kompleks”, me ekstremet që do të tërhiqen nga aleancat oportuniste, paktet plurilaterale dhe kufijtë e mbivendosur”, sipas Filip Stefëns, redaktor kontribues i “Financial Times”, në esenë e tij për Institutin Montenj.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në NATO, janë seriozë në ndihmën që po i japin Ukrainës që të zmbrapsë pushtimin rus, dhe e gjitha kjo paraqitet si një luftë e demokracisë kundër totalitarizmit, raporton abcnews.al.

Por mund të ketë një keqkuptim rreth natyrës reale të kësaj lufte, dhe mund të jetë tejet optimiste pikëpamja që mund të ketë dikush për Ukrainën, vend që vetëm pak muaj më parë, vështirë se do të ishte marrë si një model demokracie apo transparence.

Megjithatë, siç ndodh gjithmonë, politika ka nevojë për slogane dhe “demokracia kundër autoritarizmit” është një slogan që po marketohet shumë mirë.

Por ky kontrast, i promovuar nga presidenti i SHBA-së Joe Biden është shumë i thjeshtë, pasi disa aleatë të NATO-s, si Hungaria dhe Turqia, si dhe pjesa më e madhe e Jugut global, përfshirë Indinë e madhe dhe kryesisht demokratike, kanë refuzuar që t’i bashkohen Perëndimit në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, dhe e shohin luftën në Ukrainë si një formë të luftës se deleguar midis SHBA-së dhe Rusisë.

Dhe në dëshpërimin e tyre për energji dhe për të zëvendësuar naftën dhe gazin rus, demokracitë perëndimore janë detyruar të afrohen me disa prej udhëheqësve më autokratikë të botës, raporton abcnews.al.

Ndërsa Rusia dhe Kina po synojnë ta ndryshojnë apo edhe të shkatërrojnë rendin ndërkombëtar të ndërtuar nga fituesit demokratë të Luftës së Dytë Botërore, “konkurrenca gjeopolitike që ka vërtet rëndësi nuk është midis demokracive liberale dhe pjesës tjetër të botës, por mes shtetit ligjor dhe ligjit të më të fortëve”.

Në kuadrin e kësaj përballjeje, polarizimi i madh i demokracisë amerikane dhe dekadenca e saj janë faktorë të rëndësishëm, të cilët revolucioni dixhital po i bën të dukshëm në çdo cep të botës.

“Tek e fundit, SHBA është pasqyra në të cilën ne shohim veten. Gjithçka që ndodh atje nuk kufizohet vetëm në Shtetet e Bashkuara, por analizohet dhe vëzhgohet në Evropë dhe në pjesën tjetër të botës”, sipas  Arança Gonzalez Laja, ish-Ministre e Jashtme e Spanjës, sot  dekane e Shkollës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Paris.

Në kushtet e trazirave ekonomike, pabarazive në rritje, erozionit të identitetit kombëtar të shkaktuar nga globalizimi dhe shpërdorimit të përpjekjeve të mëdha ushtarake në Irak dhe Afganistan “Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi e kanë humbur fuqinë e tyre të butë”, thekson ajo.

“Përpjekjet tona për të promovuar demokracinë në Lindjen e Mesme dhe Afganistan kanë dështuar. Për shumë njerëz në Perëndim, sidomos midis të rinjve, demokracia është e rëndësishme, por po ashtu edhe klima dhe ekonomia”, shtoi ai.

Por rënia e shpejtë e Amerikës nuk është domosdoshmërisht e dëshiruar edhe nga rivalja e saj kryesore strategjike dhe ideologjike, Kina. Ose, të paktën, jo menjëherë, siç e thekson edhe Huang Jing, politolog kinezo-amerikan që jep mësim në Universitetin e Studimeve Ndërkombëtare të Shangait.

“Në këto kohëra të trazuara, Kina është e interesuar për stabilitet”, tha Huang Jing në Forumin Ambroseti.  “Kina dhe Rusia kanë një miqësi të pakufishme, por jo një aleancë me çdo kusht. Rusia ka një kapacitet të madh për të shkatërruar rendin aktual botëror.

Ndërsa duke parë kaosin në Ukrainë, Kina po përpiqet të ruajë veten në rendin aktual dhe të luajë një rol paqe-bërësi që kontribuon për të mirën e përbashkët. Një rënie kaotike e SHBA-së është katastrofike për ne dhe për ekonominë globale. Kina beson se një SHBA e qëndrueshme, kohezive dhe e begatë është e mirë për Kinën, të paktën tani për tani”, thekson ai.

Ndërkohë Bruno Le Mer, Ministri francez i Ekonomisë, Financave dhe Sovranitetit Industrial dhe Dixhital, thotë se dixhitalizimi i hapësirës politike dhe konfuzioni midis së vërtetës dhe gënjeshtrës e kanë dobësuar shumë demokracinë. “Revolucioni dixhital ka ndryshuar jo vetëm organizimin e kombeve dhe shoqërive tona, por edhe trurin tonë.

Nuk mund të ketë demokraci pa një hapësirë të përbashkët për debat. Dhe cili është rezultati i një debati politik?

Shumica e njerëzve e gjejnë veten rreth të vërtetave të përbashkëta, vëzhgimeve të përbashkëta, diagnozave të përbashkëta. Por në epokën e revolucionit dixhital nuk ka asgjë të tillë”, deklaroi ai gjatë një interviste.

Për të mediat sociale janë “një univers mendor i ndryshëm, ku nuk ka një të vërtetë të vetme” ndërsa “në themelin e demokracisë qëndron pikërisht dallimi midis të vërtetës dhe gënjeshtrës”.

“Dhe sot kjo është çështja më e rëndësishme politike, sepse demokracitë tona liberale janë dobësuar thellësisht nga revolucioni dixhital dhe individualizimi i shoqërisë”, argumenton Le Mer.

Edhe Bernard Spic, avokat dhe konsulent i Medef, shoqata më e madhe franceze e punëdhënësve, bie dakord se globalizimi dhe dixhitalizimi i kanë ndryshuar shoqëritë demokratike dhe si të gjitha revolucionet “mund të sjellin gjërat më të mira dhe ato më të këqija”, raporton abcnews.al.

Por, e kombinuar me botën e re dixhitale të mediave sociale, ekziston një sfidë tjetër për demokracinë. Sot të rinjtë po kujdesen më shumë për ndryshimet klimatike, të cilat ata i shohin si një çështje ekzistenciale, sesa për demokracinë liberale, thotë Le Mer.

“Demokracia është punë e vështirë dhe ajo duhet të ushqehet çdo ditë”, tha ish-ministrja spanjolle Laja. Dhe Riota shton se rreziku i vërtetë tani nuk është fashizmi: “Rreziku i vërtetë është lodhja nga demokracia”.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!