Kobe Bryant dhe gruaja e tij kishin një ‘marrëveshje’ se kurrë nuk do udhëtonin bashkë me helikopter

schedule10:40 / 28/01/2020

Kobe Bryant i përdorte helikopterët thuajse përditë, por ai dhe gruaja e tij nuk fluturonin kurrë bashkë.

“Ai dhe Vanessa kishin rënë dakord që s’do të fluturonin kurrë në helikopter bashkë,” tha një burim për People.

Bryant, vajza e tij 13-vjeçare Gianna dhe shtatë njerëz të tjerë, humbën jetën si pasojë e aksidentit të së dielës. Bryant la pas gruan, Vanessa, 37 vjeçe dhe tre vajza, Natalia, 17, Bianka, 3 dhe Capri, që  lindi në qershor të 2019-s.

Ish basketbollisti 41-vjeçar i NBA dhe e bija po shkonin në një lojë basketbolli.

 

I njëjti burim tha për People se Bryant udhëtonte vetëm me pilotin Ara Zobayan, i cili gjithashtu humbi jetën në aksident.

Bryant filloi të udhëtonte me helikopter për të kaluar më shumë kohë me familjen dhe më pak kohë në trafik.

“Ngecja në trafik dhe humbisja diçka të rëndësishme në shkollë,” tha ai në 2018-n. “Duhet të gjeja një mënyrë për t’u stërvitur dhe fokusuar te sporti, por pa lënë familjen pas dore.”

“Aty filloi gjithçka. Mund të shkoja në stërvitje dhe të kthehesha për 15 minuta,” shtoi ai.

Në një intervistë të publikuar në nëntor, Bryant tha se nga gjithë arritjet e tij, fëmijët ishin arritja më e madhe.

 

“Jam shumë krenar që jam baba; është arritja ime më e madhe,” tha ai. “Kam mësuar kaq shumë, por besoj se ndjenja më e thellë është dashuria e pakushtëzuar, e papërmbajtur që ke për fëmijët. Jam bekuar katër herë me këtë ndjesi dhe është gjëja më e fuqishme në botë.”/abcnews.al

schedule10:40 / 28/01/2020