“Klubet të ruajnë fushat”, Dervishaj: Pas Anglisë hiqet tapeti i “Air Albania”

schedule00:18 - 5 Janar, 2021

schedule 00:18 - 5 Janar, 2021

Në studion e emisionit Pressing në ABC ditën e sotme është i ftuar anëtari i Komitetit Ekzekutiv pranë FSHF, Arben Dervishaj. Ai foli për projektet e FSHF dhe terrenet sportive, që në periudhën e shirave janë degraduar dhe po krijojnë shumë vështirësi.

“Me fushat në këtë periudhë ka probleme gjithmonë sepse ka shumë shira. Ngarkimi me më shumë ndeshje seç duhet si dhe me stërvitje i bën të dëmtohen. Federata ka vërejtur se skuadrat stërviten çdo ditë në stadiume. Kemi pasur probleme sepse ”Air Albania” dhe ”Selman Stermasi” kanë qenë të bllokuara.

Është shumë e vështirë rikuperimi në këtë periudhë dhe kemi kërkuar që klubet t’i ndërpresim stërvitjet në fushë dhe do inspektojmë dhe nëse gjejmë shkelje do ketë penalitete. Air Albania ka pasur gabime në menaxhimin e fushës.

Fusha e atij stadiumi ka një veçori sepse është i mbuluar dhe ka dy probleme: ndruçimin dhe ventilimin. Vendosëm të kalonte një cikël dhe të shihnim për çka ka nevojë. U konstatua se nuk mund të mbahet në këtë formë.

Tani do të sjellim llambat ndriçuese. Vendimi është marrë. Për ndeshjen me Anglinë do vijnë specialistë nga Greqia dhe Angli. Pas pak kohësh vijnë llambat dhe ventilimi dhe pas ndeshjes së Anglisë do vendoset fusha hibride. Është 20% bar artificial dhe kështu e kanë klubet e mëdha si Arsenali apo Juventusi.

Stadiumi i Kukësit është 50% me Federatën dhe 50% me qeverinë. Janë duke u vendosur dyert. Federata po merret me impiantet e ndriçimit, hyrjeve, stolat. Por ka një problem. Qeveria shqiptare ka dhënë vetëm 200 milionë lekë të reja dhe ka një pjesë, që duhet ta derdhi.

Në projekt ka qenë 700 milionë, janë edhe 150 për tu derdhur, ndërkohë që Federata i ka kaluar caqet e saj. Kur qeveria të derdhi fondin mbaron stadiumi. Fushën dhe ndriçimin e bëjmë ne. Mesa di unë Ministria e kërkoi fondin, por në këtë buxhet nuk u akordua.

100 fushat? Nuk ka nisur ende, qeveria nuk ka dhënë përgjigje për financimin. Është projekt shumë përgjegjës dhe shumë fusha zhduken dhe kthehen në ndërtime. Sot ne kemi nga një fushë në 18 mijë banorë në 1 fushë në 100 mijë banorë. Jemi shumë mbrapa në krahasim me vendet e tjera.

FSHF  e ka përgatitur projektin dhe është gati të financojë 34%, 33% i kemi kërkuar qeverisë dhe 33% kompanisë ndërtuese. Kemi pasur kërkesa, që janë depozituar në Federatë. Kontributi i qeverisë në këtë nismë është 10 milionë euro, që e shtrirë në kohë zbutet shumë.

Një fushë shkon rreth 34 milionë lekë të reja. FSHF e ka bërë detyrim që hyrja në Kategorinë Superiore duhet të ketë të njëjtat kushte, që hyn edhe në Kupat e Europës dhe pjesë e kësaj janë edhe stadiumet”, u shpreh Dërvishaj. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!