Në mbledhjen plenare zhvilluar mesditën sotme, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, vendosi për disa lëvizje në prokuroritë e rretheve.
Sipas njoftimit zyrtar, ish-kryeprokurorja Arta Marku është caktuar përkohësisht në pozicionin e prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.
Gjithashtu Këshilli vendosi miratimin e projekt-akteve “Për caktimin e përkohshëm në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje të z. Arben Dyla ”, “Për caktimin e përkohshëm në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier të znj. Violeta Shkurta”.
Pas verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të emërimit, pasurisë, figurës dhe integritetit, Këshilli vendosi kualifikimin për emërim të dy kandidatëve për magjistratë në profilin prokuror, znj. Enkeleda Hoxha dhe z. Gazmend Frëngu pas diplomimit në Shkollën e Magjistraturës në vitin akademik 2019-2020. Me këtë vendimmarrje, Këshilli hap rrugën për shpalljen e dy vendeve vakante për kandidatët për prokuror.
Sakaq me shumicë votash, Këshilli miratoi raportet për analizimin e aftësisë profesionale të subjektit të rivlerësimit Ervin Beqiri, Petrit Hysa dhe Lindita Male (Ziguri) dhe projekt-aktin për mbarimin e statusit, për shkak dorëheqje, të magjistratit znj. Rabiana Halili, aktualisht prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.
/abcnews.al/